Emanuele Torquati koncert në Teatrin e Operës dhe Baletit, një program muzikor që varion nga fundi i viteve tetëqind deri tek bashkëkohorja, kushtuar kompozitorit Giancarlo Cardini

0
79

Artisti Emanuele Torquati vjen me një koncert recital. Me rastin e debutimit të tij në Tiranë në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Emanuele Torquati do të prezantojë një program që varion nga fundi i viteve ‘800 deri tek bashkëkohorja, kushtuar kompozitorit Giancarlo Cardini. Recitali i pianistit të njohur Emanuele Torquati do të vijë për publikun si bashkëpunim mes Institutit Italian të Kulturës dhe Teatrit të Operës dhe Baletit. Koncerti do të zhvillohet mbrëmjen e 26 marsit, por Instituti Italian i Kulturës përmes një materiali, sjell në vëmendje aktivitetin e pianistit të njohur. ““A thoughtful and fascinating musician” (New York Times), Emanuele Torquati është sot një nga pianistët më të vlerësuar. Veçanërisht i vëmendshëm ndaj repertorit bashkëkohor, Emanuele Torquati luan rregullisht në të gjithë botën për institucione të rëndësishme si Alte Oper e Frankfurtit, Universiteti i Kolumbias në Nju Jork, Konservatori New England në Boston, etj”, thuhet në materialin e institutit. Programi i koncertit në Tiranë është një homazh për kompozitorin Giancarlo Cardini (1940-2022) dhe vjen në vijim të aktivitetit të pianistit Torquati,  por ai ka interpretuar si solist edhe me Orkestrën Filarmonike të Buenos Aires, Avanti! Chamber Orchestra, Orkestrën Kombëtare Simfonike Lituaneze, Orkestrën Rajonale të Toskanës, Orkestrën Kombëtare Simfonike RAI, Orkestrën Haydn të Trentos dhe Bolzanos.

Aktiviteti muzikor

Emanuele Torquati u diplomua në Firence me Giancarlo Cardini, dhe specializua me Konstantin Bogino, Alexander Lonquich, Yvonne Loriod-Messiaen dhe Ian Pace. Për 10 vjet ka qenë drejtor artistik i Festivalit “music@villaromana” në Firence dhe që prej vitit 2015, është një nga autorët e programit të Radio3 “Mësime muzike”. Përsa i përket regjistrimeve, ka regjistruar veprat e plota në piano të Albert Roussel, Alexander Zemlinsky dhe Charles Griffes për BrilliantClassics. Në vitin 2021, doli në treg albumi i tij i fundit, “L’Anima e la Danza“, i publikuar nga Stradivarius, një projekt që zë fill tek Couperin e mbërrin deri në ditët e sotme. Në fushën bashkëkohore ka regjistruar për COL LEGNO, KAIROS, NEOS dhe RTV. Së bashku me violonçelistin Francesco Dillon, ka realizuar 3 CD kushtuar Robert Schumann, veprat e plota të Franz Liszt dhe një CD me vepra të veçanta brahmsiane, me rastin e dhjetëvjetorit të partneritetit të tyre. Pasioni i tij për muzikën bashkëkohore e ka shtyrë të interpretojë si pianist i parë apo solo, vepra të ndryshme dhome për piano, si dhe të bashkëpunojë intensivisht me kompozitorë të rëndësishëm, si: Salvatore Sciarrino, Francesco Filidei, Sylvano Bussotti, Wolfgang Rihm, Kaija Saariaho, Beat Furrer, Jonathan Harvey, Philip Glass, Thomas Larcher, Brett Dean, Magnus Lindberg, Peter Ablinger, apo me artistë si Isabel Charisius, Matthias Pintscher, Marisol Montalvo, Garth Knox, Susanne Linke, Quartetto Prometeo. Albumi i tij “L’Anima e la Danza”, një udhëtim tematik që varion nga Couperin tek Benjamin, ka fituar çmime të ndryshme, duke përfshirë “Diskun e Artë” nga revista “Amadeus”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here