Muzeu “Onufri” u hap 38 vite më parë, QKMB: Në vite numri i vizitorëve është rritur

0
51

Muzeu i ikonografisë “Onufri”  në Berat u hap 38 vite më parë. Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat shprehet se ky muze është një nga emblemat e trashëgimisë kulturore kombëtare. “Para 38 vitesh, përkatësisht 27 shkurt 1986 do të hapej për publikun Muzeu i Ikonografisë “Onufri”. I vendosur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Hyjëlindëses” shek XVIII, ky muze është një nga emblemat e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe krenaria e pasurive historike e fetare të Beratit. Në vite kemi parë sesi është rritur numri i vizitorëve nga e gjithë bota dhe jemi kujdesur për koleksionin artistik duke kryer edhe ndërhyrje restauruese në laboratorin tonë”, thuhet nga QKMB në faqen e saj. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit XIX.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here