Mikroçip brenda topit, UEFA zbardh risitë që do të ketë në Euro-2024, shet edhe finalen e Champions

0
55

UEFA ka vendosur të rrisë teknologjinë për të shmangur gabimet. Kështu, në Euro 2024 do të përdoret një mikroçip brenda topit, që ndihmon në përcaktimin nëse ka pasur prekje me dorë para një goli dhe gjithashtu ndihmon me vendimet për pozicionet jashtë loje. Topi “FUSSBALLLIEBE”, që në gjermanisht do të thotë “dashuria për futbollin”, përfshin teknologjinë për herë të parë në një EURO, e cila ofron një pamje të paprecedentë të çdo elementi të lëvizjes së topit dhe kontribuon në procesin e vendimmarrjes. Mikroçipi do të funksionojë në lidhje me teknologjinë e gjurmimit të gjymtyrëve, që lejon krijimin në kohë reale të paraqitjeve vizuale 3D të skeleteve të lojtarëve. Këto pajisje lejojnë gjyqtarët e VAR-it të krijojnë një imazh të kompjuterizuar që tregon saktësisht se ku godet topi në trup. Pastaj është arbitri që vendos, nëse është e vullnetshme ose jo. Korniza perfekte për pozicion jashtë loje. Kjo risi do t’u lejojë gjyqtarëve të VAR-it të identifikojnë çdo prekje individuale të topit. Në këtë mënyrë, pozicionet jashtë loje mund të analizohen në kornizën më të saktë kur bëhet pasimi për sulmuesin, si dhe duhet të zvogëlohet koha e shpenzuar për zgjidhjen e incidenteve si goditjet me dorë dhe penalltitë. Ndërkohë, sipas “Ok Diario”, finalja e Ligës së Kampionëve për sezonin 2029/30 do të luhet në Abu Dhabi si pjesë e kontratës së re gjashtëvjeçare të UEFA-s me Emiratet e Bashkuara Arabe, me vlerë 2.2 miliardë euro. Kjo marrëveshje me Emiratet është përgjigje ndaj vendimit të gjykatës lidhur me projektin e Superligës, i cili pritet të merret së shpejti në Luksemburg jo në favorin e UEFA-s dhe do të jetë i vlefshëm nga sezoni i ardhshëm. “UEFA e di se më 21 dhjetor mund të humbasë padinë në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në lidhje me Superligën dhe ka rënë dakord me Abu Dhabin për të sponsorizuar Ligën e Kampionëve. Ata duan ta bëjnë garën më tërheqëse për klubet dhe të shmangin dezertimin e Superligës”, tha Eduardo Inda në emisionin El Chiringuito de Jugones. Vendimi pritet të zyrtarizohet në mbledhjen e radhës të komitetit ekzekutiv të UEFA-s në Paris më 7 shkurt përpara shortit për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve. Njeriu kryesor për ekzekutimin e projektit nga ana e UEFA-s është zëvendëssekretari i përgjithshëm Xhorxhio Marketi i cili konsultohet me bordin ekzekutiv për t’u siguruar që gjithçka të shkojë mirë. Sipas mediave spanjolle, UEFA do t’i shesë të drejtat për të gjitha garat e UEFA-s, duke përfshirë femrat dhe futsallin, për rajonin e Lindjes së Mesme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here