Një drejtues nga radhët e Policisë së Shtetit u prangos dje nga kolegët e tij, si i akuzuar për pjesëmarrjë në organizatë kriminale të trafikut të drogës. Dritan Metaj, shef i Komisaratit të Policisë së Laçit u arrestua në kuadër të vazhdimësisë së operacionit “Flakë në det”, ku në 15 gusht të këtij viti 4 persona u prangosën dhe të tjerë u shpallën në kërkim për djegie veliere që shpërndante drogë nga Laguna e Patokut drejt Kepit të Rodonit. Nga ana tjetër, Gëzim Çelaj, i konsideruar si drejtues i këtij rrjeti trafiku ndërkombëtar droge, së bashku me Arben Dalipajn dhe Roland Guzën po kërkohen për t’u arrestuar. Sipas Drejtorit të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku këta persona ndodhen jashtë territorit shqiptar. Jo vetëm kaq, por forcat e rendit po veprojnë për sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të personave të akuzuar në kuadër të operacionit “Flakë në det”. Detajet e plota të operacionit të djeshëm u bënë me dije nga vetë Rrumbullaku gjatë një deklarate për mediat
Akuzat dhe kush janë personat që po u sekuestrohen pronat?
Ndaj 4 personave të sipërpërmendur, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masat “Arrest me burg” për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Nga ana tjetër, policia po punon për sekuestrimin e pasurive të Gëzim Çelaj, Nderim Çelaj, Arlind Ismailukaj dhe personat e tjerë të lidhur me ta. 3 prej tyre u kapën në 15 gusht nga Policia e Shtetit dhe “FRONTEX” për trafik droge.
Operacioni i 15 gushtit, palët do shkëmbenin kanabis me kokainë
Në 15 gusht të këtij viti, gjatë mega-operacionit “Flakë në det” u sekuestruan 2 pistoleta, municion luftarak, një shumë e madhe parash në valuta të ndryshme, 25 celularë dhe sende të tjera. Gjithashtu, u sekuestruan një sasi prej 23 kg lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa, e gjetur në det, në afërsi të vendit ku u fundos veliera e djegur dhe një mjet lundrues gomone, bashkë me GPS. Në këtë operacion u prangosën 6 persona: Arlind Ismailukaj, Armando Mema, Nderim Çelaj, Besnik Brokeri, Kyrylo Ponomarenko (ukrainas) dhe Kostiantyn Biellon (ukrainas). Veliera që u dogj afër Kepit të Rodonit drejtohej nga këta 2 shtetas ukrainas, ndërsa skafi nga pala shqiptare. Sipas hetimeve, palët do shkëmbenin kanabis me kokainë. Droga në skaf qe nisur nga Laguna e Patokut.
I kërkuar nga policia, Çelaj u arrestua dhe shpëtoi 9 vite më parë nga drejtësia
Në qershor të vitit 2014, policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Perëndimit të Europës, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë. Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë. Kurse, gjatë kontrollit në vilën e ish-efektivit të policisë, Gëzim Çela në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa. Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara. Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentin se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas, ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Kur policia rrethoi shtëpinë e Çelës, ai nuk ishte aty. Më pas, u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës. Për të, ekziston një dënim nga gjykata italiane me 11 vjet burgim, si dhe 150 mijë euro gjobë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gëzim Çela, përpara se të implikohej rrjetin e trafikut të drogës ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë detyrë e ka mbajtur përpara vitit 1997.











































