Java e pestë e Kategorisë Superiore startoi dje me dy duelet e para, ku pretendentët kryesorë për titullin, Tirana e Partizani, shpalosën fuqinë e tyre përballë Erzenit dhe Dinamos. Në fakt, dueli më i rëndësishëm i kësaj jave ishte derbi Dinamo-Partizani, e cila kishte marrë vëmendjen më të madhe për shkak jo vetëm të rivalitetit, por edhe pozitave të lëkundura të të dyja skuadrave, sidomos “nëndetëses” blu, e cila provoi dhe një herë se po kalon një krizë të fortë të brendshme. Dinamo City humbi dje 1-3 përballë Partizanit dhe e sheh veten të poshtëruar në këto 5 javë garë, kurse “demat e kuq”, me një fitore e tri pikë në këtë derbi ngjiten në vend të dytë, fill pas Tiranës, madje ka një ndeshje më pak. Kjo e fundit pësoi dje një tronditje të pakuptimtë, pasi humbi në fushën e saj me Erzenin e Shijakut, 0-1, një humbje që frenoi avancimin në renditje. Në të vërtetë kjo ndalesë e Tiranës e bën garën më të bukur dhe u jep shanse edhe skuadrave të tjera që të pretendojnë të futen në fund në top-4, pasi formula e garës këtë vit parasheh një “Final Four” mes katër skuadrave kryesuese për të luftuar për titullin kampion. Padyshim që Tirana dhe Partizani janë pretendentët kryesorë, por Dinamo Siti, ekipi që u krijua me shumë pompozitet këtë sezon, duket tepër larg rivalitetit me dy skuadrat e tjera kryeqytetase. Mbetet të shihet në ditët në vazhdim se çfarë masash do të marrë klubi.
Derbi/ Partizani zhyt më tej Dinamon
Partizani bind në transfertën e Dinamo Siti, të cilën kampionët e fituan me rezultatin 1-3 në “Elbasan Arena”. Pjesa e parë u mbyll me porta të paprekura, ndonëse nga të dyja skuadrat u tentua të gjendej goli. U desh minuta e 58 që të zhbllokohej kjo sfidë, me Bintsouka që kaloi miqtë në avantazh. Partizani vazhdoi me sulmet dhe në minutën e 78-të Rrapaj dyfishoi avantazhin, teksa në minutën e 83-të Da Silva realizoi golin e tretë për “të kuqtë’ e kryeqytetit. Dinamo tentoi të reagonte dhe gjeti rrugën drejt rrjetës me Kaçorrin në minutën e 90+3’, megjithatë në fund gjithçka u mbyll me rezultatin 1-3. Pas raundit të pestë të Kategorisë Superiore, Dinamo Siti renditet në vend të nëntë me vetëm tre pikë, teksa Partizani ngjitet në vend të dytë me tetë pikë, dy më pak se Tirana kryesuese, por me kampionët në fuqi që kanë një ndeshje të prapambetur.
Erzeni shtang Tiranën në kryeqytet, shijakasit marrin tri pikë, bardheblutë dështojnë
Nis me një rezultat surprizë java e pestë e Kategorisë Superiore. Jashtë çdo parashikimi, Erzeni i Shijakut ka mposhtur 1-0 Tiranën në “Selman Stërmasi” dhe është ngjitur qoftë provizorisht në vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm. Goli që vendosi sfidën u shënua nga Bekim Maliqi në minutën e 15-të, pasi një aksioni të rrjedhshëm të skuadrës shijakase. Tirana pati minuta të tëra në dispozicion për ta kthyer rezultatit, iu afrua golit më shumë në kohën shtesë, por pa mundur të tundë rrjetën. Dy fitore radhazi për Erzenin dhe në të dyja rastet “viktima” janë skuadrat kryeqytetase, pasi në javën paraardhëse iu imponua 3-2 Dinamos. Ndeshjet e tjera të javës së pestë do të luhen ditën e sotme. Edhe pse humbi, kryesimin Superiores vijon ta mbajë Tirana me 10 pikë.