Ernest Muçi është kuqeziu i radhës që shkëlqen në Europë. Ai ka bërë një start befasues me Legian e Varshavës në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke shënuar dy nga tre golat e fitores së skuadrës së tij dhe duke marrë një vëmendje të shtuar në median sportive polake e ndërkombëtare, aq sa edhe UEFA e ka radhitur menjëherë në formacionin më të mirë të kësaj xhiro të parë të grupeve në Conference League. Duhet thënë se Muçi kishte kohë që po kalonte momente të mira të formës sportive, por me dygolëshin e fundit ai ka rrëmbyer më shumë vëmendje dhe një “diamant” në vitrinën e tij që do t’i kujtojë një karrierë të suksesshme. Padyshim që ky është sinjal shumë i mirë në prag të ndeshjes së Kombëtares ndaj Republikës Çeke.
Muçi, potencialisht gati për sulmin kuqezi
Ernest Muçi ishte prej më meritorëve që Legia e Varshavës shënoi fitore në duelin kundër Aston Vilës. Legia polake fitoi 3:2 ndaj Aston Vilës së Premier Leagues së Anglisë, kurse futbollisti i Shqipërisë realizoi golin për 2:1 dhe për fitoren 3:2. Të dy golat u vlerësuan shumë të bukur, por ishin shumë të rëndësishëm për skuadrën. Në Grupin E të Ligës së Konferencës, Zrinjski dhe Legia kanë nga tri pikë nga ndeshja e parë. AZ Alkmari dhe Aston Villa janë pa pikë. “Ishte mbrëmje fenomenale. Kaluam kohë të mirë edhe me tifozët. Po ashtu kemi marrë eksperiencë të shkëlqyer. Jam krenar për lojën tonë, për gjithë ekipin. Padyshim se do ta kujtojmë këtë ballafaqim për vite të tëra. Në golin e dytë, më kujtohet kur Marc Gual ma pasoi topin. Isha i vetmuar dhe vendosa të gjuaja në portë dhe topi përfundoi në rrjetë. Shpresoj të shënojë edhe më shumë gola”, ka thënë Muçi për “TVP Sport”. Muçi 22-vjeçar tashmë ka shënuar shtatë gola në këtë edicion me Legian e Varshavës. Është golashënuesi i dytë më i mirë i skuadrës polake. “Kam fituar shumë eksperiencë nga edicioni i fundit. Padyshim se ndihem shumë më mirë. Kemi krijuar një skuadër solide, jemi më të bashkuar. E dimë se si duam të luajmë. Krijojmë më shumë shanse dhe shënojmë në çdo ndeshje. Është e rëndësishme të vazhdojmë me këtë formë”, ka shtuar ai. Muçi është zhvilluar si futbollist te FK Dinamo e Tirana.
Silvinjo e ndjek Muçin nga stadiumi
Trajneri brazilian i Kombëtares tonë, Silvinjo, nuk humb asnjë rast pa ndjekur lojtarët e tij, sidomos ata elementë që ai i ka projektuar për ekipin e parë dhe që i ka në projektet e tij të së ardhmes për kualifikim në Europian dhe më tej në fazën finale të Europianit. Kështu ka ndodhur edhe me Ernest Muçin, të cilin Silvinjo e ka ndjekur nga afër, domethënë në stadium. dygolëshi i shqiptarit me siguri që e ka bërë të lumtur teknikun brazilian të përfaqësueses tonë. “Në stadium për ta ndjekur nga afër ka qenë edhe trajneri i Shqipërisë, Silvinjo së bashku me ndihmësin e tij, Dorivën”, shkruajnë mediumet sportive që i bëjnë jehonë këtij fakti. Pas përfundimit të sfidës ata kanë darkuar së bashku. Muçi është një nga elementet më të rëndësishëm të Shqipërisë, pavarësisht se në dy sfidat e fundit nuk mori asnjë minutë. Por situata mund të ndryshojë, madje duke nisur nga sfida e radhës, ajo kundër Republikës Çeke.