Gjykata e Lartë zbardh vendimin, ja pse u refuzua lirimi i Saimir Tahirit dhe pse nuk qëndronin pretendimet se ish-ministrit i kërcënohej jeta

0
41

Gjykata e Lartë zbardhi dje arsyetimin e vendimit përmes të cilit rrëzoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për pezullim të dënimit me burg. Ish-ministri iu drejtua kësaj gjykate në prill të këtij viti, gati 2 muaj pasi qëndronte në burg në zbatim të dënimit me 3 vjet e 4 muaj të dhënë nga Apeli i Posaçëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Tahiri i kërkonte gjykatës ta nxirrte nga qelia me pretendimin se për shkak të funksionit që kishte mbajtur i rrezikohej jeta në burg dhe se familjarët e tij ishin të ekspozuar ndaj eksponentëve të botës së krimit. Në vendimin e Gjykatës së Lartë, të publikuar dje në media, Kolegji Penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Medi Bici e Sandër Simoni arsyetonin se ish-ministri nuk kishte paraqitur asnjë dokumentacion për të provuar pretendimet e tij. “Në rastin në shqyrtim nuk rezulton që të ketë asnjë indicie që kërkuesi të mund të bëhet objekt i personazheve të krimit që ndodhen duke kryer dënimin në IEVP Fier dhe nuk ka po ashtu asnjë indicie që vuajtja e menjëhershme e dënimit me burgim e të dënuarit Saimir Tahiri, mund të pasjellë pasoja të rënda për vetë të dënuarin, si dhe për familjen e tij”, thuhet në vendim. Më tej Kolegji Penal vlerëson se nuk mjafton vetëm evidentimi i problematikave, apo i mundësive hipotetike për pasojat që mund të ketë Tahiri apo familjarët e tij, por është e domosdoshme, që rreziku të jetë real dhe i bazuar. “Për periudhën që është në burg, nuk rezulton që të ketë asnjë ankim nga kërkuesi Saimir Tahiri, referuar personave të caktuar, të cilët janë personazhe të krimit dhe që aktualisht ndodhen duke kryer dënimin në IEVP Fier, siç pretendon kërkuesi në kërkesë, të cilët me veprimet e tyre, të jenë bërë shkak për rrezikimin e integritetit fizik të kërkuesit”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj