Mediat italiane dhe jo vetëm janë fokusuar ditët e fundit në përplasjen që drejtori sportiv i Lacios Igli Tare ka pasur me presidentin e këtij klubi Klaudio Lotito, një përplasje që po çon Taren drejt një “divorci” të pashmangshëm pas 13 vjet bashkëpunim. Të gjithë nxiten të kuptojnë çfarë po ndodh konkretisht? Si ka mundësi që raporti shumë i mirë i Tares me Lotiton për shumë vite shkërmoqet brenda pak kohësh dhe cili është shkaku? Natyrisht shkaku dihet, ai është trajneri Mauricio Sarri, i cili që kur vuri këmbën tek klubi i kryeqytetit italian punoi jo për të ndërtuar një skuadër të denjë, por për t’i bërë ‘gropën’ Tares, pra për ta larguar atë përfundimisht nga Lacio. Dhe situata sot për Taren është ndërlikuar, pasi presidenti Lotito dukshëm po mban anën e trajnerit dhe për ta dobësuar edhe më tej pozitën e shqiptarit, ata kanë nxitur segmente të tifozëve, kryesisht radikalë, që t’i kundërvihen Igli Tares dhe të kërkojnë largimin e tij. Me pak fjalë, midis Lotitos dhe Sarrit ka një marrëveshje të fshehtë, në kuptimin që në projektin e ri Tare nuk përfshihet. Padyshim që ky është kulmi i mosmirënjohjes, pasi, pavarësisht rezultateve (që për hir të së vërtetës shqiptari është vlerësuar si një nga drejtorët sportivë më të mirë në Itali e më gjerë), Igli Tare ka dhënë shpirtin për Lacion, e ka mbajtur atë skuadër në top-nivele në kampionatin italian, duke marrë lojtarë me çmim të vogël dhe që klubi i ka shitur miliona euro. Ka qenë pikërisht kjo strategji e Tares, që e kanë ngjitur ish-sulmuesin kuqezi në majat më të larta të futbollit europian si një drejtor sportiv mjaft efikas e për këto rezultate pak vite më parë ai mori edhe çmimin në Itali si drejtori sportiv më i mirë. Po ku shkoi kjo punë e madhe dhe ky sukses? Në marrëveshjen mafioze të Lotito-Sarrit, ky sukses e kjo punë hidhet në kosh.
Skenarët e mundshëm
Situata e momentit tek Lacio punon kundër Tares, për këtë arsye, miqtë e shumtë të tij i kanë telefonuar dhe i kanë rekomanduar që të japë dorëheqjen, duke kërkuar pagesën sipas kontratës edhe për një vit. Ndoshta për Igli Taren po fryn një erë e re, ku i duhet pak pushim e më pas një rikthim spektakolar akoma më i rëndësishëm. Po çfarë i kanë rekomanduar miqtë Tares? Ata i kanë rekomanduar një dorëheqje, pak pushim dhe më pas një rikthim të fuqishëm, natyrisht në një tjetër top-klub italian ose në Gjermani. Gazeta “SOT”, pati kontakte me disa ish-lojtarë të ekipit kombëtar dhe pavarësisht se nuk duan të prononcohen hapur për këtë temë, ata mendojnë se Tare duhet të shohë për një alternativë të re, pra të lerë dyshen e pleqve Lotito-Sarri të luajnë “domino”. Kuptohet, Igli Tare nuk është emër dosido, por një personalitet në futbollin italian, që me punë ka dëshmuar sukses. Një nga kritikat që i janë adresuar Tares ka të bëjë me Muriqin e Kosovës, por Lotito e Sarri e fshehin faktin se kosovari shënoi shumë gola në Spanjë. E habitshme është, që edhe në Shqipëri, ka disa segmente mediatike që kërkojnë ta ulin Taren, duke u bërë palë me dyshen e pleqve mosmirënjohës Lotito-Sarri.









































