Rei Manaj në bisedime me Getafen dhe Uotfordin, Asllani merr numrin 14 tek Interi

0
130

Legjionarët po shijojnë pushtimet në tërësinë e tyre, por ka dhe futbollistë që janë në pritje të mësojnë destinacionin e ri për karrierën e tyre. Dhe kuqezinjtë që presin të mësojnë emrin e skuadrës së re nuk janë të paktë, nisur nga Broja në Angli, Sadiku e Manaj në Spanjë, apo dhe Hysaj në Itali, pa lënë pas dore lojtarët e tjerë që luajnë në kampionate të ndryshme europiane. Ndërkohë, vëmendjen ditët e fundit e ka marrë sulmuesi Rei Manaj, i cili, referuar edhe asaj që shkruajnë mediumet sportive italiane, me shumë mundësi do ta vijojë karrierën futbollistike në Spanjë, por sigurisht jo te Barcelona, që zotëron kartonin e tij. Bomberi i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, sipas gazetarit italian, Xhianluka Di Marzio, pritet të përfundoje te Getafe. Klubi nga rrethinat e Madridit është në bisedime të avancuara me Barcelonën, por klubi “blaugrana” ka si alternativë edhe shitjen tek Uotfordi, në Angli (Championship). Sezonin e kaluar, Manaj veshi fanellën e Specias në Serinë A, në formë huazimi nga “blaugranat”, por në përfundim të kampionatit klubi italian hoqi dorë nga blerja e kartonit të lushnjarit, pasi e konsideroi të shtrenjtë për buxhetin e saj. Në 29 ndeshje në Serinë A, sulmuesi i datëlindjes 1997 mundi të shënonte 5 gola.

Asllani merr numrin 14 tek Interi

Mesfushori shqiptar Kristjan Asllani firmosi me Inter dhe dje ka zgjedhur edhe numrin e fanellës për sezonin e ardhshëm. Mesfushori i kombëtares së Shqipërisë do të mbajë veshur bluzën me numër 14, duke trashëguar kështu një numër të cilën në vitin e kaluar i takonte Ivan Perisiç, me kroatin që tashmë është larguar nga zikaltrit për t’u transferuar te Totenhem në Premier League. Gjatë periudhës së tij te Empoli, Asllani ka veshur fanellën me numër 23, por te zikaltrit ky numër i përket Nikolo Barrelas. Megjithatë, 20-vjeçari shpreson që edhe numri 14 të rezultojë fatsjellës për të, teksa pritshmëritë e Interit për shqiptarin janë të larta. Drejtuesit e italianëve investuan plot 14 milionë euro për të transferuar Asllanin në “San Siro”, ndërsa shqiptari firmosi një kontratë pesëvjeçare nga e cila do të përfitojë 1.2 milionë euro në sezon. ndërkohë, vlen të thuhet, gjithashtu, se me transferimin tek Interi do t’i takojë Kristjan Asllanit të mbajë lart flamurin e Shqipërisë në Champions League, aty ku do të jetë shqiptari i vetëm i kompeticionit prestigjioz europian, të paktën deri më tani, nëse faza kualifikuese nuk bën ndonjë surprizë tjetër. Mesfushori duket se do të marrë kështu vendin e Berat Gjimshitit, përfaqësuesi konstant i viteve të fundit, që me Atalantën e tij është këtë sezon jashtë Europës. Një debutim ky për djaloshin 20-vjeçar në arenën më prestigjioze në nivel klubesh. Një tjetër detaj interesant lidhet me qëndrimin e Romelu Lukakut kur mori vesh që Asllani është bërë pjesë e Interit. “Po flisja me atë djalin e ri, Asllanin, më pëlqen mentaliteti i tij, do të surprizoheni. Është 20 vjeç? Po, por nga mënyra sesi flet ngjan si një 27-vjeçar”, dëgjohet të thotë sulmuesi belg Romelu Lukaku.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here