Dokumentari për Bekim Fehmiun, regjisori Valmir Tertini: Një figurë e keqkuptuar, do shpaloset nga njerëzit më të afërt në rrugëtimin e tij

0
193

Jeta dhe vepra e aktorit Bekim Fehmiu janë në dokumentarin e regjisorit Valmir Tertini, i cili po xhiron në disa shtete. Këto ditë regjisori bën me dije se kanë përfunduar xhirimet në Itali. Një projekt me skenarist Fahri Musliun dhe regji Valmir Tertinin, i cili që në nisje të tij mori shumë vëmendje për atë që do të sjellë për aktorin e madh. Bekim Fehmiu ishte aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë, një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, mbetet ndër figurat më të dalluara të kinematografisë shqiptare. Regjisori Tertini thotë se në Itali artistët që kanë punuar me aktorin e madh zbulojnë punën me Bekim Fehmiun vite përpara, por dhe të tjera eskluzive, që do të jenë në këtë dokumentar. “Ne sapo përfunduam xhirimet në Itali, me aktoren e njohur Eleonora Giorgi, profesorin e historisë së kinemasë Fabio Melelli si dhe Davide Mancori, i cili rrëfeu mbi sheshxhirimet e filmin “Gengiskhan”. Ata rrëfehen me plot pasion për bashkëpunim, tregojnë se si ishte Bekimi në dy aspekte ai profesional dhe personal dhe shumë të tjera ekskluzive”, tregon regjisori Tertini. Ky projekt është i mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë me producent Jaklin Gaçe, si dhe donatorë të tjerë. Regjisori Valmir Tertini tregon se puna për dokumentarin kushtuar Bekim Fehmiut ka vijuar dhe në shtete të tjera ku janë bërë xhirimet. Por ai thotë se përmes këtij filmi dokumentar njerëzit e afërt të aktorit do të flasin për atë që e karakterizonte Fehmiun, një figurë që edhe u keqkuptua. “Me këtë dokumentar publiku do shohë disa dimensione të tjera që e karakterizojnë Bekimin, një figure e keqkuptuar do shpaloset nga njerëzit më të afërt në rrugëtimin e tij”, tregon regjisori.

Personazhet në dokumentar

Xhirime janë në Serbi, Bosnje, Kroaci, Itali, Kosovë apo dhe Shqipëri. Disa nga personazhet që flasin në këtë dokumentar për aktorin e madh Bekim Fehmiu janë Arsim Fehmiu vëllai i tij, bashkëshortja Branka Petriq, aktori Timo Flloko, aktorja Eleonora Giorgi, etj. Regjisori Tertini thotë se janë afër premierës me dokumentarin, që do të shfaqet i plotë. “Por dhe postproduksioni do kohën e vet, do ketë një premierë madhështore siç e meriton Bekim Fehmiu”, tregon ai. Ky është ndër projektet e fundit të regjisorit Valmir Tertini, fitues i disa çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare për filmat e tij. Valmir Tertini studimet e larta për arte mediale i përfundoi në Prishtinë dhe masterin për regji filmi dhe televizioni pranë Akademisë së Arteve në Tiranë. Në aktivitetin e tij përmendim “Çaj rusi” film (2012); “Tyrbe Lez” dokumentar(2013) “Elektricisti i nëntokës” dokumentar (2015); “Tradhti me letra” film (2016); “Vulë” film (2019) apo dhe cikle dokumentare për turizmin në Tiranë e Shqipëri, etj. Tertini është profesor i filmit në Akademinë Botërore të Tiranës WAT. Bekim Fehmiu (Sarajevë, 1 Qershor 1936 – Beograd, 15 Qershor 2010) ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografi, ku rolet më të njohura janë te “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra. Pas filmit “Mbledhësit e puplave” disa nga filmat e tjerë ku ai u prezantua janë “Gethi i Gjerë”, “Era”, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here