Kategoritë e bizneseve që lehtësohen nga tatim-fitimi do kenë 30-90% zbritje shpenzimesh, ja si trajtohen të vetëpunësuarit me më pak se 3 klientë

0
16

Ndërkohë që afro 100 mijë biznese  me xhiro vjetore nga 0-14 milionë lekë do të futen në skemën e tatimi-fitimit me 15 për qind e ndarë në  dy faza, një pjesë në vitin 2023 dhe pjesa tjetër në 2029-ën, për ato subjekte që nuk kanë mjaftueshëm qarkullim është menduar që të lehtësohen. Projektligji i hedhur për konsultim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë “Për tatimin mbi të ardhurat”, saktëson në nenin 14 aplikimin e një regjimi të veçantë për individët tregtarë dhe të vetëpunësuar. Konkretisht, nëse qarkullimi i individit tregtar ose të vetëpunësuar nuk i kalon 10 milionë lekë në vit, ai ka të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme, pa mbajtur regjistrime në kontabilitet. Shpenzimi i zbritshëm do të aplikohet në masën  60 % të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese;  90 % të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë; 70 % të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual; 60 % të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante, disko etj, të kësaj natyre; 50 % të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve, veprimtaritë artizanale dhe atyre zejtare; 30 % të të ardhurave për individët e vetëpunësuar. Duket se subjektet që përfitojnë më së shumti në këtë pikë janë tregtimi me shumicë dhe pakicë. Por ndërsa të vetëpunësuarit janë përfshirë në regjim të njëjtë tatimi me bizneset e tjera, ka një përjashtim nga rasti. Neni 12 i projektligjit citon se nëse 80 për qind ose më shumë e të ardhurave të fituara nga një individ i vetëpunësuar, merren direkt ose indirekt nga një klient i vetëm; ose  90 për qind ose më shumë e të ardhurave totale të fituara merren nga më pak se 3 klientë, atëherë kjo kategori do të përfshihet në tatimin që aplikohet për të ardhurat nga punësimi. Të ardhurat bruto nga punësimi tatohen për qind nga 0-20 milionë lekë dhe 23 për qind mbi këtë shumë.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj