Biblioteka Kombëtare dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpallën vitin 2022 si “Viti i Ali Podrimjes”. Ky vit do të jetë një vit kushtuar aktiviteteve në kujtim të figurës dhe kontributit të Podrimjes, si dhe poezisë shqipe, aktivitete të cilat do të shtrihen përgjatë 2022 në kuadër të projekteve të përbashkëta kulturore të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha dhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli, ku ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti, shpallën këtë vit me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Podrimjes dhe 10-vjetorit të ndarjes nga jeta. Aktiviteti dje çeli siparin e një sërë veprimtarish kulturore, jo vetëm për të nderuar e kujtuar veprimtarinë poetit Ali Podrimja, por edhe për të sjellë në qendër të vëmendjes poezinë, botën magjike të fjalës. Për ministren Margariti nuk mund të ketë një ndarje mes poetëve të Shqipërisë dhe poetëve të Kosovës, ata i përkasin gjithë shqiptarisë. “Janë autorë të Shqiptarisë dhe si të tillë gjithmonë aktivitete të tilla, ekspozita, etj, janë bërë pjesë e një kalendari të përbashkët”, shprehet ministrja e Kulturës. Dje me shpalljen e “Vitit të Ali Podrimjes”, në fjalën e tij drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha tha se Ali Podirmja është një figurë që është një nga përfaqësuesit më të veçantë, më origjinalë dhe me të rëndësishëm të shekullit të XX. Ndërsa Alda Bardhyli drejtoreshë e Qendrës Kombëtare e Librit dhe Leximit tha se aktivitetet do të nisin, që në 23 prill me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit. “Do të shënojmë një aktivitet të gjerë të përbashkët me Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Kosovë, që ka botuar dhe veprën e plotë të Podrimjes. Këto aktivitete do të kulmojnë në një panair të librit shkencor dhe studimor”, tha Bardhyli.
Autori Ali Podrimja
Ali Podrimja (1942-2012), një ndër poetët më të dashur e përfaqësues të poezisë shqiptare, lindi në Gjakovë të Kosovës. I lindur e i rritur në kohë lufte, ai pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Studioi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jetoi deri në fund të jetës. Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare “Jeta e Re” kur ishte ende në gjimnaz, gjë që e intrigoi përkrahësin e talenteve të reja, Esad Mekulin, të merrej me të dhe ta ndihmonte në formimin e tij si poet. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, lanë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi në një ndër veprat më të bukura të tij “Lum Lumi”. Në vitet ’80 e ’90 botoi libra poetikë si “Zari”, “Buzëqeshje në kafaz” etj., dhe librat në prozë “Burgu i hapur” (1998), “Harakiri” (1999). Poezia e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes ngjyresave të veçanta e botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.







































