Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, me veprën e Lumturi Blloshmit. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se Lumturi Blloshmi do të jetë artistja e parë femër, që do të përfaqësojë Shqipërinë në “La Biennale di Venezia” dhe Adela Demetja kuratorja e parë femër shqiptare e pavijonit shqiptar. “Pavijoni shqiptar do të jetë i vendosur në Arsenale dhe mund të vizitohet nga data 23 prill deri më 27 nëntor 2022. Identiteti i ri vizual nga Studio Parallel”, shkruan ministrja në një status të saj. Më parë ministrja e Kulturës ka bërë me dije se kuratorja Adela Demetja iu përgjigj kërkesës së ministrisë me një qasje që bën bashkë disa mediume e që do të paraqesë të plotë veprën edhe botën e Lumturi Blloshmit, e cila i tejkalonte kufijtë e lokales. Bienalja Ndërkombëtare të Artit në Venecia është ngjarja më e madhe e artit bashkëkohor në botë. Biografia e jashtëzakonshme e Lumturi Blloshmit, personaliteti i saj i fuqishëm dhe mbi të gjitha vepra artistike cilësore, e bëjnë atë vlerë unike dhe domethënëse për artin bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar. Puna e Lumturi Blloshmit përshtatet gjithashtu më së miri me temën e këtij viti të Bienales së Artit të Venecias, titulluar “Qumështi i ëndrrave”. Nëpërmjet punës së Lumturi Blloshmit dhe mënyrës se si do të kurohet prezantimi, pavijoni shqiptar është i mirëvendosur brenda kuadrit politik, artistik dhe konceptual të edicionit të 59-të të Bienales së Venecias dhe diskursit aktual të artit bashkëkohor. Prezantimi është konceptuar në tre pjesë. Thelbi i ekspozitës përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga periudha të ndryshme. Arkitektura e ekspozitës do të krijohet në bashkëpunim me arkitekten gjermane Johanna Meyer-Grohbrugge. Nëpërmjet një mjedisi të ndërtuar virtualisht publiku do të ketë qasje në botës personale dhe mjedisit krijues të Blloshmit.








































