Vendimi për shkarkimin e presidentit/ Aurela Anastasi zbardh çfarë do të ndodhë në Kushtetuese

0
323

Pas shkarkimit me 104 vota nga Kuvendi i Shqipëri, beteja për qëndrimin ose jo të Ilir Metës në krye të Presidencës është zhvendosur në Gjykatën Kushtetuese. Dosja më e nxehtë që kjo gjykatë ka në duar është pikërisht vendimi i shkarkimit të Metës nga Parlamenti, ndërkohë që pak ditë më parë zgjodhi gjyqtarin Përparim Kalo si relator për çështjen e shkarkimit të kreut shtetit. Kjo do të thotë se sytë e të gjithëve janë nga Gjykata Kushtetuese. Por për të mësuar më shumë rreth proceduarve dhe hapave që do të ndjekë Kushtetuesja, gazeta foli dje me konstuticionalisten e njohur, Aurela Anastasi. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, juristja Anastasi zbuloi procedurat që do të ndjekë Kushtetuesja për shkarkimin e Metës, ndërsa shtoi se për gjykimin e çështjes në seancë plenare nuk ka limite kohore. “Ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese nuk ka përcaktuar afate për përfundimin e këtij gjykimi, i cili është një gjykim i posaçëm. Disa konkluzione mund t’i nxjerrim duke analizuar afatet e përgjithshme që parashikon ligji për gjykimin kushtetues. Kështu, në nenin 47 të tij parashikohet afati i fillimit të shqyrtimit të çështjes. Gjykata Kushtetuese ka detyrimin që brenda tre muajve nga dita e paraqitjes së kërkesës të përfundojë shqyrtimin paraprak të saj në Mbledhjen e Gjyqtarëve. Me fjalë të tjera, Gjykata Kushtetuese brenda tre muajve do të vendosë kalimin ose moskalimin e shqyrtimit të çështjes për gjykim në seancën plenare. Më tej, për gjykimin e çështjes në seancë plenare nuk ka afate dhe kufij kohorë. Kjo do të thotë që Gjykata Kushtetuese duhet të ndjekë një afat të arsyeshëm”, deklaroi ajo.

Asistenca dhe kuorumi

Më tej gjatë prononcimit të saj, konstuticionalistja e njohur, Aurela Anastasi theksoi se Gjykata Kushtetuese sa i takon vendimit të shkarkimit të presidentit Ilir Meta ka të drejtë që të kërkojë edhe opinion nga palët të dytë. Sipas saj, mundësia që Kushtetuesja të trokasë në organizma të tjera për të marrë mendim për çështjen e Metës, ekziston. “Teorikisht, në bazë të ligjit, ekziston mundësia që Gjykata Kushtetuese, gjatë shqyrtimit të çështjes të kërkojë opinion amicus curia nga organizma të tjerë. Në këtë rast, ajo pezullon gjykimin dhe dërgon pyetjet për marrë opinion nga Komisioni i Venecias. Ky pezullim mund të zgjasë 3-4 muaj në rastin kur përgjigjja do të arrijë pas një procedure të rregullt të ndjekur nga ky Komision. Pra, teorikisht dhe ligjërisht, ekziston një mundësi e tillë”, u shpreh ajo. E pyetur nëse do të ishte mirë që vendimi për shkarkimin ose jo nga detyra të Presidentit Ilir Meta nga Gjykata Kushtetuese duhet të kishte kuorumin e plotë, pra 9 anëtarë, zonja Anastasi theksoi se një gjë e tillë do ishte e dobishme, pasi shuan debatet që mund të lindin. “Plotësimi me 9 anëtarë nuk është kusht për shqyrtimin e çështjes, pasi Gjykata Kushtetuese është funksionale edhe me këtë përbërje dhe mund ta gjykojë këtë çështje. Ndërkohë, nëse ndodh që të plotësohet përbërja me anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, natyrisht do të ishte më mirë në aspektin e debatit kushtetues dhe në procesin e vendimmarrjes nga kjo Gjykatë”, nënvizoi konstuticionalistja e njohur, Aurela Anastasi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here