Skuadrat shqiptare mësuan të martën rivalët e tyre në kompeticionet kualifikuese të Champions dhe Conference League, kurse dje, të mërkurën, mësuan kundërshtarët edhe për turin e dytë eliminator, gjithmonë nëse e kalojnë me sukses të parin. Për ekipet që goglat u dhanë fat në turin e parë, duket se ka pasur “nervozizëm” të goglave sepse ka rivalë shumë të fortë në raundin e dytë dhe kështu ka ndodhur me partizanin, që me shumë gjasë do t’i kalojë moldavët e Xhorxhas por në raundin e dytë gjen përballë zviceranët e fuqishëm të Bazelit, skuadër që ka në gjirin e saj plot lojtarë shqiptarë. Teuta duket se e ka të vështirë vetëm raundin e parë, pasi, nëse e kalon këtë tur, në të dytin shorti nuk duket kaq i vështirë. Ndërsa Laçi e Vllaznia në çdo rast do ta kenë të vështirë.
Shorti/ Nëse kalon moldavët Partizani përballet me Bazelin
Ditën e djeshme është hedhur shorti për turin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës. Në rast se kalojnë me sukses kundërshtarët e turit të parë, aty do të jenë edhe ekipet e Superiores si Partizani, Vllaznia dhe Laçi. Kështu, të kuqtë ndeshen në turin e parë me moldavët e Sfintul Xhorxhe, një rival tërësisht i kalueshëm. Mirëpo, në turin e dytë, kryeqytetasit do të ndesheshin me Bazel. Një rivalë pa dyshim superior ndaj Partizanit, teksa pjesë e zviceranëve me shumë eksperiencë janë edhe dy shqiptarët Taulant Xhaka e Edon Zhegrova. Sakaq, edhe Vllaznia që do të ndeshet me Shiroki Brijeg, në rast se ia del me sukses atëherë do të përballet me qipriotët e AEL Limasol. Ndërkohë, nga ana tjetër, Laçi nëse kalon Podgoricën, atëherë në turin e dytë do të përballej me Universita Kraiova. Sa i përket ekipeve të tjera shqiptare, Drita ka mundësinë e një përballje të madhe me Fejnord nëse kalon Deçiç. Ndërsa, Shkupi nëse kalon Llapi atëherë e pret Santa Klara, teksa Struga nëse kalon Liepajën, atëherë në raundin tjetër i pret CSKA e Sofias.
Trajneri/ Martini: Me shortin jam i kënaqur, por …
Durrsakët kanë mësuar ditën e djeshme kundërshtarin, teksa përballen me moldavët e Sherif Tiraspol. Trajneri Edi Martini duke komentuar shortin thekson se dëshira e tij ishte të luanin kundër Dinamo Tbilis, megjithatë është i kënaqur që kanë shmangur Ludogorets. “Normalisht që ishte skuadra e dytë që do doja, do kisha dëshirë të përballesha me Dinamo Tbilis, megjithëse dhe kështu si ra, nga katër ekipet e mundshme që ishin, jam deri diku i kënaqur. Ludogorets do doja ta shmangnim sepse është një ekip me mjaft cilësi, ndërsa mes tyre thash do preferoja Dinamo Tbilisin, por dhe me Sherifin jemi deri diku të kënaqur me ekipet që kishim në vazo”, u shpreh Martini.