Të emëruarit e Biden-it në postet të larta në administratë/ Dy prej tyre në pozita kyçe mbështetës të Kosovës dhe figura shumë të njohura

0
219

Inaugurimi i Joe Bidenit si president i Shteteve të Bashkuara po afrohet, pas disa javësh të trazuara në Uashington, dhe vëmendja kthehet te njerëzit që ai ka caktuar për poste të larta në administratë.

Shumë prej të zgjedhurve kanë karriera të gjata në shërbimin civil të SHBA-së. Njohuritë e tyre për punën do t’i ndihmojnë, pas asaj që po cilësohet si tranzicion mjaft i vështirë.

“Nuk kemi kohë për të humbur kur bëhet fjalë për sigurinë tonë kombëtare dhe politikën e jashtme”, ka thënë Biden më 24 nëntor.

“Kam nevojë për një ekip të gatshëm në ditën e parë, për të më ndihmuar që ta rikthej vendin e Amerikës në krye të tryezës, ta mbledh botën për t’u përballur me sfidat më të mëdha që kemi përpara dhe të avancoj sigurinë, prosperitetin dhe vlerat tona”, ka thënë Biden.

Të zgjedhurit e Bidenit për kabinetin, që duhet të miratohen nga Senati amerikan, reflektojnë edhe një premtim të mëparshëm të tij për përfaqësimin e pakicave në Qeveri.

“Këta individë janë me përvojë dhe të testuar nga krizat, aq sa janë edhe inovativë dhe kreativë”, ka thënë Biden.

“Arritjet e tyre në diplomaci janë të pakonkurrueshme, por ata gjithashtu pasqyrojnë idenë se ne nuk mund t’i përmbushim sfidat e thella të këtij momenti të ri me të menduarit e vjetër dhe me zakone të pandryshuara – ose pa shumëllojshmëri të prejardhjes dhe perspektivës. Kjo është arsyeja pse unë i kam zgjedhur ata”, ka thënë presidenti i zgjedhur.

Pasi ka shërbyer si zëvendëssekretar i Shtetit në administratën e ish-presidentit Barack Obama, Antony Blinken, 58 vjeç, e di se çfarë detyrash ka pozita e diplomatit të lartë amerikan.

Ai është njeri i besueshëm i presidentit të zgjedhur, pasi ka punuar me të në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë (2002-08) dhe më vonë ka shërbyer si këshilltar për siguri kombëtare i Bidenit, kur ky i fundit ka qenë zëvendës i Obamës.

Sikurse Biden, Blinken shpesh ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të SHBA-së. Supozohet se ai do të punojë shumë për t’i mbyllur çarjet e shumta me aleatët, që janë hapur nën administrimin e Trumpit.

Pasi ka kaluar një pjesë të konsiderueshme të rinisë së tij në Paris, ai është folës i rrjedhshëm i frëngjishtes, me një pikëpamje internacionaliste që mund të bie ndesh me qasjen e administratës së mëparshme “Amerika e para”.

Si një ithtar i fortë i aleancës së NATO-s, ai e di mirë realitetin gjeopolitik post-sovjetik dhe supozohet se do të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj agresionit të Kremlinit.

Mendohet se ai ka luajtur rol të madh në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, pas aneksimit me forcë që i ka bërë Krimesë. Në atë kohë, Blinken ka udhëhequr edhe thirrjet e pasuksesshme që Ukraina të furnizohet me armë vdekjeprurëse.

Duke qenë se puna e tij do të përfshijë shumë udhëtime, Blinken mund të ketë shumë sfida edhe në rrafshin personal. Si baba i dy fëmijëve të vegjël, ai do të jetë sekretari i parë i Shtetit në shumë vite që do të rrisë fëmijë derisa është në detyrë.

Nëse i emëruari i Bidenit për të kryesuar komunitetin e inteligjencës së jashtme amerikane konfirmohet, tradita do të prishet. William Burns do të jetë drejtori i parë i CIA-s me sfond diplomatik, e jo dikush nga vetë komuniteti i inteligjencës.

Karriera e tij e gjatë në Departamentin e Shtetit (1982-2014) nënkupton që ai do të jetë i përgatitur dhe i gatshëm të adresojë dy fusha me prioritet për administratën e ardhshme: Rusinë dhe Iranin.

Burns, 64 vjeç, ka shërbyer si ambasador në Moskë, nën udhëheqjen e ish-presidentit republikan, George W. Bush. Ai po ashtu është parë si një negociator kryesor në bisedimet sekrete, që i kanë hapur rrugë marrëveshjes bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore, e cila është arritur në vitin 2015, kur president i SHBA-së ka qenë Barack Obama. Ai ka thënë se do të favorizonte rivendosjen e kushteve të marrëveshjes, nga e cila Trump e ka tërhequr SHBA-në në vitin 2018.

Duke qenë se ka punuar nën pesë presidentë amerikanë, si demokratë, ashtu edhe republikanë, Burns është i përgatitur mirë në shumicën e fushave kryesore të politikës së jashtme, edhe pse disa kanë sugjeruar se përvoja e tij e kufizuar me Kinën, mund të jetë një dobësi e mundshme.

Duke e zgjedhur për drejtor të CIA-s, Biden ka thënë se Burns “ndan bindjen time të thellë se inteligjenca duhet të jetë jopolitike” dhe ka shtuar se ai “do të sjellë njohuri, gjykim dhe perspektivë, që na duhen për t’i parandaluar kërcënimet dhe për t’iu kundërvënë atyre”.

Vetëm 44 vjeç, Jake Sullivan pritet të bëhet këshilltari më i ri për sigurinë kombëtare në më shumë se gjysmë shekulli.

Edhe pse është i ri, ai shihet si ekspert i kalitur i politikës së jashtme, i cili do të përshtatet mirë me objektivat e presidencës së Bidenit, pasi ka shërbyer si këshilltar për siguri kombëtare i presidentit të zgjedhur, kur Biden ka shërbyer si nënkryetar në administratën e Obamës. Ai gjithashtu ka shërbyer si shef i planifikimit të politikave për Hillary Clintonin, kur ajo ka qenë sekretare e Shtetit në administratën Obama. Sullivan ka qenë një nga këshilltarët e saj më të afërt strategjikë.

Sullivan besohet se ka krijuar marrëdhënie të ngushta me Blinken, i cili po ashtu ka qenë këshilltar për siguri kombëtare i Bidenit. Besohet se ata dy do të punojnë nga afër për një varg çështjesh.

Sikurse i emëruari për sekretar Shteti, edhe Sullivan besohet të jetë i etur për riparimin e marrëdhënieve me aleatët, që janë acaruar nën udhëheqjen e Trumpit. Ai po ashtu ka thënë se do që t’i rikthehet marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe, më pas, ta detyrojë Teheranin që sërish t’i respektojë kushtet e saj.

Fushat e tjera që ka thënë se do t’i trajtojë me prioritet, përfshijnë Kinën dhe pandeminë COVID-19.

Duke qenë se posti i këshilltarit për siguri kombëtare nuk kërkon miratimin e Senatit, Sullivan pritet ta marrë rolin menjëherë pasi Biden të marrë detyrën më 20 janar.

Si dikush që ka shërbyer në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara për më shumë se 40 vjet, gjenerali në pension, me katër yje, Lloyd Austin, do të sillte një përvojë të pasur në rolin e sekretarit të Mbrojtjes. Austin ka mbikëqyrur tërheqjen e ushtrisë nga Iraku dhe rritjen e saj në Afganistan, ndërsa ka kryesuar edhe reagimin e SHBA-së ndaj kërcënimit të grupit ekstremist Shteti Islamik.

Biden thuhet se ka qenë i impresionuar me performancën e Austinit në krye të Komandës Qendrore të SHBA-së, në administratën Obama.

Kur e ka zgjedhur për sekretar të Mbrojtjes, presidenti i zgjedhur ka thënë se do t’ia besojë ushtrinë amerikane dikujt “që ka shërbyer si një burrështetas, duke e përfaqësuar vendin tonë me nder dhe dinjitet dhe gjithmonë, mbi të gjitha, duke qenë syhapur për njerëzit e tij”.

Nëse emërimi i tij konfirmohet, Austin, 67 vjeç, do të bëhet afrikano-amerikani i parë në pozitën e sekretarit të Mbrojtjes.

Një pengesë e mundshme është se ai ka nevojë për një lëshim nga Kongresi, pasi pozita supozohet të mbahet nga një civil, i cili nuk ka shërbyer në mënyrë aktive në ushtri për së paku shtatë vjet. Austin është pensionuar në vitin 2016. Ky lëshim është bërë vetëm dy herë më herët: për James Mattisin në vitin 2017 dhe për George Marshallin në vitin 1950.

Linda Thomas-Greenfield, 68 vjeçe, është diplomate e karrieres, e cila ka punuar në Shërbimin e Jashtëm të SHBA-së për rreth 35 vjet, derisa është shkarkuar në atë që është parë si spastrim i Departamentit të Shtetit nga Trumpi, në vitin 2017.

Që atëherë, ajo ka mbajtur një pozitë të lartë në një kompani strategjike globale, të kryesuar nga ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright. Thomas-Greenfield ka punuar edhe me ekipin e tranzicionit të Bidenit që nga zgjedhja e tij në muajin nëntor.

Përveçse ka shërbyer si ambasadore e SHBA-së në Liberi, ajo ka mbajtur poste të shumta të huaja edhe në vende si: Pakistani, Kenia dhe Xhamajka.

Ajo po ashtu ka kaluar disa vite si diplomate e lartë e Shteteve të Bashkuara për Afrikën dhe ka mbajtur një post të lartë në Zyrën e Popullsisë, Refugjatëve dhe Migracionit të Departamentit të Shtetit.

Më herët ka punuar edhe me misionin e SHBA-së në Kombet e Bashkuara në Zvicër.

Emërimi i Thomas-Greenfieldit shihet si përmbushje e një zotimi të Bidenit për të zgjedhur një kabinet më të larmishëm.

Thomas-Greenfield ka folur hapur për jetën e saj si fëmijë afrikano-amerikan në një qytet të ndarë në jugun amerikan. Nëna e saj ka qenë personi i parë që ka përmendur pas njoftimit për emërimin e saj ambasadore në Kombet e Bashkuara.

Nëse çdo gjë do të shkonte sipas planit, Merrick Garland, 68 vjeç, nuk do të kishte të drejtë të bëhej zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend dhe këshilltar ligjor.

Ai ka qenë zgjedhja fillestare e Obamës për të zëvendësuar Antonin Scalian si gjykatës të Gjykatës Supreme në vitin 2016, por nuk është miratuar nga republikanët e Senatit, pavarësisht përvojës së tij të gjatë dhe të respektuar në gjykatë federale të apelit.

Ai gjithashtu ka përvojë të gjatë në Departamentin e Drejtësisë – më së shumti si prokuror federal.

Nëse konfirmohet, ai do të marrë drejtimin e Departamentit të Drejtësisë pas mandatit të trazuar të William Barrit.

Pritet që përvoja e tij në Departamentin e Drejtësisë ta rrisë moralin dhe të ndihmojë t’i flakë akuzat e të qenët subjekt i ndikimit politik, që nganjëherë e kanë shoqëruar paraardhësin e tij.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Biden është zotuar se do t’iu japë fund pabarazive racore në sistemin e drejtësisë./REL/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here