Teatrit Kombëtar: Shfaqja “Ëndrra e Ismail Qemalit”, homazh për tre figura të shquara që i mungojnë skenës

    0
    486

    Teatri Kombëtar sjell mbrëmjen e së mërkurës në programin artistik shfaqjen teatrore “Ëndrra e Ismail Qemalit”. Shkruar nga Bashkim Kozeli, para disa vitesh drama erdhi në skenë me regji nga Spiro Duni, si dhe në role me aktorë të njohur. Teatri Kombëtar shprehet se kjo vepër teatrore pjesë e programit të muajit dhjetor është edhe një homazh për figura të shquara, që i mungojnë skenës sonë. “Me rastin e “Vitit të Ri 2020” do të transmetojmë livestream shfaqjen “Ëndrra e Ismail Qemalit”, ditën e mërkurë, ora 18:00. Një rrëfim dramatiko-poetik i Ismail Qemalit, në rrugëtimin e vështirë për realizimin e një ëndrre të madhe. Homazh për tre figura të shquara që i mungojnë skenës së teatrit: Fatos Sela, Roland Trebicka, Fadil Kujofsa. Kjo shfaqje mbetet kujtimi i fundit i këtyre tre ikonave të artit shqiptar”, shprehet Teatri Kombëtar për këtë vepër teatrore, që mund të ndiqet livestream në Facebook. Më herët për këtë vepër, autori Bashkim Kozeli ka pohuar se “Ëndrra e Ismail Qemalit” dominohet nga figura e Ismail Qemalit e trajtuar në tërë dimensionin e tij, duke përcjellë për publikun mesazhin se kjo tokë do të lindë në të ardhmen burra të tjerë, të cilët po të duan atdheun më shumë se veten Shqipëria do të bëhet dhe do të rrojë. “Drama është realiste, me elementë njerëzore te figura e Ismail Qemalit, duke shpalosur edhe dimensionin e një burri familjar. “Ëndrra e Ismail Qemalit” është një dramë historike me shumë personazhe, ndër të cilët, Faik Konica, Isa Boletini, Esat Pashë Toptani, etj”, ka pohuar më herët mbi veprën dramaturgu i njohur Bashkim Kozeli. Rolin e Ismail Qemalit regjisori Spiro Duni në këtë vepër ia besoi aktorit të teatrit Fatos Sela. Në rolet e tjera luajnë aktorët Roland Trebicka, Bujar Asqeriu, Naun Shundi, Dritan Boriçi, Anila Bisha, Mërkur Bozgo, Sokol Angjeli, Alfred Bualoti, Fadil Kujofsa dhe Amos Zaharia. Drama nga Bashkim Kozeli u shpall fituese e konkursit mbarëkombëtar të dramës shqipe në vitin 2012. Në këtë shfaqje u angazhua edhe një grup polifonik. Skenografia u realizua nga Ilir Sadiku, ndërsa kostumografia mban firmën e artistes së njohur Anila Zajmi Katanolli

    Programi gjatë dhjetorit

    Këtë muaj të fundit të vitit 2020, Teatri Kombëtar po prezanton në mbrëmje jo vetëm pjesë nga programi artistik online “The show must go on”, por dhe disa nga premierat më të bukura që janë vënë që nga viti 2014 në skenën e tij. Më herët Teatri Kombëtar shprehej se festat e fundvitit po afrojnë dhe së bashku me to vjen edhe shpresa, që do t’i rikthehemi së shpejti normalitetit, ku bënte me dije dhe fillimin e aktivitetit artistik online. “Urojmë që, këtë vit të ri teatrot të rihapen dhe sallat të mbushen përsëri me ju, publik i mrekullueshëm. Teatri Kombëtar i kushtëzuar nga rrethanat e shkaktuara nga covid-19, vjen në muajin dhjetor me aktivitete artistike online”, shprehej teatri. Pas mbrëmjes me krijimtarinë e shkrimtarit Ismail Kadare, në programin e teatrit erdhi mbrëmja me poezi dhe prozë nga autorë të njohur francezë. Aktoret e Teatrit Kombëtar Eva Alikaj, Niada Saliasi, Gladiola Harizaj dhe Elia Zaharia Zogu të interpretuan pjesë nga veprat e shkrimtarëve dhe poetëve më të njohur si: Victor Hygo, Charles Baudelaire, Guy de Maupassant, Jean de la Fontaine dhe Jacques Prevert. Po në këtë mbrëmje të këtij programi ishte e ftuar speciale dhe Maniola Camuset-Trebicka, e nderuar me titullin “Kalorëse e Palmave Akademike”, njëkohësisht vajza e një prej ikonave të Teatrit Kombëtar, aktorit Roland Trebicka.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here