Nis zbardhja e llogarive bankare në parajsat fiskale/Mbyllen marrëveshjet me 72 shtete, lehtësohet puna e SPAK për të goditur pushtetarët

0
35

Nis puna për të zbardhur llogaritë bankare në parajsat fiskale. Pak muaj më parë u miratua një ligj ku mundësonte që Shqipëria të ishte pjesë e paktit për të hapur llogarite bankare. Plot 81 shtete ranë dakord për të shkëmbyer informacione, ndërsa mësohet se Shqipëria ka mbyllur marrëveshjet me 72 prej tyre. Administrata tatimore kanë rënë dakord për të zbardhur gjithçka, duke lehtësuar në këtë mënyrë punën e SPAK. Kjo e fundit ka nisur hetimet në prapaskenë për shumë politikanë, ndërsa hapja e llogarive bankare do fundosë disa prej tyre. Sipas të dhënave, ka shumë emra që kanë para në kompani offshore apo në parajsa fiskale dhe nuk është çudi që gjatë vitit 2021 të kemi surpriza. Shqipëria në vitin 2020 iu bashkua vendeve që zbatojnë standardet globale të Shkëmbimit Automatik të Informacionit mbi Llogaritë Financiare, sipas standardit CRS të OECD-së, duke shkëmbyer automatikisht informacionin për llogaritë financiare të personave jo rezidentë. Autoriteti kompetent, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, shkëmben me administratat e tjera tatimore informacionin e marrë nga institucionet financiare raportuese, nëpërmjet sistemit CTS. Ky sistem, i cili aksesohet kundrejt një tarife vjetore, do të mundësojë transmetimin/pranimin e mesazheve dhe të integrimit me sistemet e autoriteteve të tjera tatimore. Sipas tij, çdo llogari me vlerë të madhe që ndryshon tani do të jetë në monitorim. “Llogaritë e njësive ekonomike që i nënshtrohen rishikimit. Një llogari paraekzistuese e njësisë ekonomike, që ka një balancë ose vlerë totale të llogarisë që e tejkalon shumën 250 000 USD, duke filluar nga data 31 dhjetor 2018 dhe një llogari paraekzistuese e njësisë ekonomike që nuk tejkalon 250 000 USD, duke filluar nga data 31 dhjetor 2018, por balanca ose vlera totale e llogarisë tejkalon 250 000 USD, duke filluar nga dita e fundit e çdo viti kalendarik pasues, duhet të rishikohet në përputhje me procedurat e përcaktuara në pikën 3, të këtij neni”, thuhet në vendim.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj