Greqia miraton dekretin për zgjerimin deri në 12 milje në detin Jon

0
42

Këshilli i Lartë i Shtetit të Greqisë ka miratuar dekretin për zgjerimin nga 6 deri në 12 milje në detin Jon. Media greke “Protothema” shkruan se qeveria greke po i dërgon kështu një mesazh Turqisë.

Dekreti presidencial është miratuar pasi u paraqit në Gjykatën e Kosacionit nënshkruar nga Kryeministri dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave.

“Qeveria Greke po i dërgon një mesazh Turqisë pas dritës jeshile të dhënë nga Këshilli i Shtetit për shtrirjen e ujërave territoriale nga 6 në 12 milje detare në Ishujt Jon dhe në Kepin Tainaro në Peloponez”, shkruan media greke.

Sipas “Protothema”, zgjerimi i ujërave territoriale në zonën e detit Jon, në përputhje me Konventën Ndërkombëtare për Ligjin e Detit, përkthehet automatikisht në një Zonë Ekonomike Ekskluzive (EEZ), pra në një zonë detare në të cilën një shtet ka të drejtë të hulumtojë ose shfrytëzojë ndryshe burimet detare përfshirë prodhimin e energjisë elektrike të ujit dhe ajrit.

Media greke shton më tej se përcaktimi i kufijve detarë, mbyllja e gjireve, si dhe zgjerimi i ujërave territoriale në Detin Jon, hapin rrugën për hartimin e marrëveshjes Greqi-Shqipëri në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Zgjidhja e mosmarrëveshjes në një gjykatë ndërkombëtare për caktimin e zonave detare, u ra dakord gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm Nikos Dendias në Tiranë dhe takimit që ai pati me Kryeministrin Edi Rama.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj