KPK zbardh vendimin për Shpresa Beçajn/ Si trupa gjykuese rrëzoi pretendimet e ish-kryetares së Gjykatës së Lartë

0
50

Pretendimi i ish-kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj se rasti i saj ishte “unik” dhe se nuk mund të penalizohej për mosdorëzimin e deklaratave në kuadër të procesit të rivlerësimit nuk e ka bindur Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, që vendosi më datë 3 korrik 2020 shkarkimin e saj nga detyra. Në vendimin e zbardhur nga KPK bëhet me dije se gjyqtarja Shpresa Beçaj, falë eksperiencës dhe statusit që gëzonte, mund të vlerësonte në mënyrë të saktë detyrimet që mbartte në funksion të procesit të rivlerësimit. “Trupi gjykues çmon se subjekti i rivlerësimit, znj. Shpresa Beçaj, nuk ka kryer një vlerësim të saktë dhe të bazuar në dispozitat ligjore përkatëse kur ka konkluduar se nuk kishte detyrimin ligjor për të paraqitur deklaratat dhe formularin në fjalë. Pretendimi i subjektit se në prezencën e dyshimeve lidhur me interpretimin e saktë ligjor ishte paraqitur personalisht pranë institucionit të ILDKPKI-së […] për plotësimin dhe dorëzimin e tre formularëve sipas ligjit […], por pasi kishte komunikuar me funksionarët përkatës i ishin përgjigjur se nuk mund të plotësonte këto deklarata, pasi nuk gjendej e cituar në listat e organikave të gjykatave, nuk duket bindës dhe nuk qëndron, për sa vijon: Komisioni çmon se interpretimi ligjor lidhur me përmbajtjen, frymën dhe qëllimin e ligjit nr. 84/2016, si dhe me statusin specifik të znj. Shpresa Beçaj dhe mbi detyrimet që mbartte në sajë të këtij statusi, mund të vlerësoheshin më së miri dhe në mënyrë të saktë, prej saj, për sa kohë statusi dhe eksperienca ia mundësonin”, thuhet në vendim. Po ashtu, trupa gjykuese u shpreh në vendim se pretendimet që Beçaj dha nuk qëndrojnë. “Shpjegimet dhe pretendimet e znj. Beçaj nuk përmbajnë asnjë rrethanë apo fakt konkret të provuar, që mund të përbëjë ndonjë shkak ligjor justifikues për mospërmbushjen e detyrimeve të analizuara më sipër. Gjithashtu, përpos tipologjisë së afateve, nuk ka rezultuar që subjekti në fjalë të ketë kërkuar ndonjëherë pranë institucioneve përkatëse apo pranë Komisionit rivendosjen në afat për shkaqe të arsyeshme, apo fuqi madhore, që nuk do t’i kishte mundësuar asaj, respektimin e afateve të përcaktuara nga ligji nr. 84/2016, përtej vlerësimit faktik, interpretimit ligjor dhe vullnetit të saj”, thuhet në vendim.

Leave a Reply