Zbardhet dosja hetimore për dhëndrin e Qazim Sejdinit/ Si ndodhi vrasja e “Flor Qorrit”

0
65

“Sokoli e Flori pinin alkool e kokainë dhe debatonin pa arsye. Qetësoheshin vetëm pasi merrnin drogë në tualet. Të dy qëlluan me armë, një herë viktima e më pas Sokol Sanxhaktari”.

Këto janë disa nga detajet që ka treguar para grupit hetimor një nga dëshmitarët e vrasjes së Florian Lamçes, nga dhëndri i Qazim Sejdinit dhe shoku i tij.

Gazeta “Panorama” zbardh të plotë dosjen hetimore të Sokol Sanxhaktarit, i cili muajin e kaluar u arrestua për vrasjen e shokut të tij, i njohur si “Flor Qorri”.

Sipas Prokurorisë, komunikimet mes të dyshuarit dhe viktimës ishin ndërprerë prej kohësh, por ditën e ngjarjes Sanxhaktari e ftoi viktimën në takim me ndihmën e një gruaje, e cila siguroi numrin e Florian Lamçes. Një nga miqtë e viktimës ka deklaruar se Lamçja pa që në telefonin e tij kishte disa thirrje nga Sanxhaktari, ndonëse ata nuk flisnin prej kohësh.

Ai ka shpjeguar se mesditën e 30 korrikut dhëndri i Sejdinit e kontaktoi Florin dhe i kërkoi të takoheshin te lokali i tij që ndodhet afër Turizmit.

Pas disa orësh qëndrimi në lokalin e tij, Sanxhaktari në mbrëmje u kërkoi të njohurve të largohen prej andej dhe të shkojnë në një lokal tjetër aty afër, duke marrë dhe pijet me vete. Më poshtë dosja e plotë e Prokurorisë.

PJESE NGA DOSJA E PROKURORISE. DEKLARIMI I DESHMITARIT TE NGJARJES

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka regjistruar procedimin penal nr. 1235, datë 30.07.2020, për veprën penale të “Vrasje me dashje” kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 76-25 të K. Penal, në ngarkim të personave nën hetim Sokol Sanxhaktari dhe Adriano Hajdari.

Ky procedim penal bën fjalë për ngjarjen e datës 30.07.2020 ku në qytetin e Elbasanit është vrarë me mjete mbretëse dhe prerëse shtetasi Florian Lamçja. Në vijim të hetimeve për këtë procedim penal kanë rezultuar këto të dhëna:

Më datë 26.08.2020 është paraqitur dhe ka deklaruar rrethana të hetimit shtetasi Misto Baholli, vëllai i viktimës dhe shtetasi Endri Baku. Në deklarimin e shtetasit Endri Baku, rezulton se ka qenë në vendin e ngjarjes së datës 29.07.2020 bashkë me viktimën në shoqërinë e personave të tjerë si Sokol Sanxhaktari, Muhamet Muçi, Ardiano Hajdari, Bes Nikolla dhe Julian Lamçe, të gjithë këta nga qyteti i Elbasanit.

Deklaruesi sqaron se prej disa kohësh ishte në shoqërinë e viktimës, me të cilin qëndronte pothuajse gjithë ditën dhe flinte në të njëjtën banesë. Ditën e ngjarjes viktima ka parë në telefon që kishte disa thirrje nga shtetasi Sokol Sanxhaktari, me të cilin kishte shumë kohë që nuk kishte komunikime.

Rreth orës 15:30 shtetasi Sokol Sanxhaktari e ka marrë në telefon, sipas deklaruesit, dhe e ka ftuar për kafe te një lokal afër Turizmit, në pronësi të Sokol Sanxhaktarit. Viktima bashkë me shtetasin Endri Baku kanë vajtur menjëherë në lokalin në fjalë dhe atje kanë gjetur duke pirë birra dhe pije të tjera alkoolike shtetasit Sokol Sanxhaktari, Muhamet Muçi, Ardiano Hajdari, Bes Nikolla dhe Julian Lamçe.

Deklaruesi nuk ka mësuar arsyen se përse e kishte thirrur Sokoli viktimën, pasi ata kanë biseduar në një ambient të veçuar ku dhe kanë marrë lëndë narkotike, kokainë. Kanë qëndruar në lokalin në fjalë duke konsumuar alkool deri rreth orës 21:00 dhe Sokoli ka kërkuar që të largohen që andej dhe të shkojnë në një lokal tjetër aty afër, duke marre dhe pijet me vete.

Konkretisht gjithë personat që ishin në atë lokal kanë shkuar te Bar-kafe “Piazza Del Sole”, jo shumë larg që andej dhe janë ulur në një ambient brenda këtij lokali. Aty viktima dhe shtetasi Sokol Sanxhaktari kanë konsumuar përsëri pije alkoolike dhe lëndë narkotike, të cilën e konsumonin në tualetin e këtij lokali.

Sipas deklaruesit, për shkak dhe të pijeve alkoolike, biseda midis viktimës dhe Sokol Sanxhaktarit acarohej pa ndonjë shkak dhe rreth orës 22:30 me 23:00 shtetasi Florian Lamçe ka nxjerrë nga çanta e tij një armë zjarri pistoletë e llojit “TT” dhe ka qëlluar në tavan 2 herë duke hapur dhe dy vrima.

Menjëherë pas tij ka qëlluar dhe shtetasi Sokol Sanxhaktari një herë dhe ai në tavan mbi tavolinën ku qëndronin. Sokoli, deklaron shtetasi Endri Baku, ka qëlluar me një armë “Gloçk”, e kalibrit të madh, me një fishek që iu dëgjuan dy plasje.

Në këtë kohë nga lokali janë larguar kamarierët dhe nuk mbeti asnjë person. Deklaruesi nuk mban mend nëse kishte klientë të tjerë në lokal. Nga tavolina e tyre gjatë kësaj kohe, pasi u qëllua, u largua dhe shtetasi Bes Nikolla. Shtetasi Sokol Sanxhaktari dhe viktima vazhduan përsëri të konsumonin pije alkoolike dhe kokainë ndërsa personat e tjerë jo. Shtetasi Muhamet Muça dhe Julian Lamçe, sipas deklaruesit, dilnin shpesh herë duke prirë pije alkoolike dhe kokainë, që deklaruesi nuk kishte dijeni se ku e merrnin.

Rreth 30 minuta më vonë, shtetasi Endri Baku sqaron se viktima, Flori, ka qëlluar përsëri me armën e tij “TT”, por këtë radhë pa e nxjerrë nga çanta dhe me drejtim për nga xhami i vetratës, që përkon nga bulevardi i qytetit.

Nga kjo goditje është shpuar vetëm xhami, pa u thyer. Të pranishëm në atë kohë kanë qenë vetëm këta persona, pasi lokali ishte bosh pa asnjë njeri, përveç rojës së lokalit, i cili nuk bëri asnjë reagim. Pas goditjes së dytë, Sokol Sanxhaktari është revoltuar, pasi ky ishte dhe në gjendje më të mirë dhe komunikonte normal. Pas goditjes së dytë nga viktima biseda midis Sokol Sanxhaktarit dhe Florit u acarua dhe qetësohej vetëm pasi konsumonin kokainën në banjë.

Diku rreth orës 01:00 të natës, shtetasi Muhamet Muça ka parë nga ekrani me titra në lidhje me një vrasje në Elbasan dhe Sokoli i ka marrë armën Florit dhe ia ka dhënë Muhametit ose Metit bashkë me armën e tij, duke i thënë “ik fshihi”. Meti pasi ka marrë armët është larguar për rreth 20 minuta dhe është kthyer përsëri, por duke qëndruar më shumë në verandën e lokalit. Shtetasi Endri Baku sqaron se rreth orës 04:00 të mëngjesit, Flori, i cili ishte në gjendje të rënduar fizikisht nga pija por jo në logjikë, i ka thënë deklaruesit: “Merr telefonin tim dhe ik ti”, duke i kërcënuar.

Deklaruesi ka kuptuar se Flori i dha të kuptonte që të njoftonte vëllain e tij, Endritin, pasi i tha që shkruaji Endritit. Deklaruesi nuk i ka shkruar por i ka rënë telefonit të Endritit, i cili nuk ia ka ngritur, pasi ka qenë në gjumë në atë orë. Po rreth orës 04:00 të mëngjesit, deklaruesi ka arritur të dalë nga lokali, megjithëse Sokol Sanxhaktari nuk e lejonte dhe ka qëndruar për disa minuta te lulishtja në një distance rreth 10 metra nga personat.

Kur ka qenë te lulishtja ka dëgjuar një zhurmë të madhe si përplasje dhe ka parë që Flori ishte në tokë dhe Sokol Sanxhaktari si i tërbuar i binte, por pa e parë se me çfarë i binte pasi nuk kishte fushëpamje.

Duke qenë se nuk mund ta ndihmonte, deklaruesi ka ikur me këmbë te shtëpia e vëllait të viktimës, Endritit, dhe i ka thënë në lidhje me Florin duke i dhënë dhe telefonin e tij. Kur kanë vajtur te lokali bashkë me Endritin, kanë pare atje Policinë dhe në vijim kanë vajtur te spitali./ PANORAMA

Leave a Reply