Përfitimi i “pagës së luftës”, Ministria e Financave tregon detaje nga planin B i qeverisë nëse zgjat situata emergjente

0
816

Zëvendësministrja e Financave Vasilika Vjero ka treguar si do të funksionojë paketa e masave lehtësuese që qeveria ka marrë kryesisht ndaj biznesit të vogël. Në një reagim për mediat, Vjero tha se nga paketa e parë e qeverisë do të përfitojnë rreth 30 mijë biznese, ose ndryshe 60 mijë punonjës, të cilët do të përfitojnë atë që quhet ndryshe nga qeveria dhe “paga e luftës”, në masën prej 26 mijë lekësh të reja.

Po ashtu Vjero u shpreh se shuma që punonjësit do të përfitojnë do të kalojë direkt në llogarinë e tyre dhe jo në atë të biznesit, paçka se kërkesa në drejtorinë e tatimeve do të bëhet prej këtyre të fundit. “Ky vendim prek të punësuarit e atyre bizneseve që si pasojë e masave për parandalimin e virusit, janë detyruar që të mbyllin biznesin e tyre. Janë rreth 30 mijë tatimpagues të vegjël që gjenerojnë të ardhura deri në 14 milionë lekë, janë rreth 60 mijë punonjës, që kanë mundësi që të përfitojnë ndihmën financiare për një periudhë tremujore, nis që nga momenti kur është mbyllur puna në muajin Mars. Procedura e aplikimit është finalizuar nga drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila ka bërë gati të gjithë mënyrën e marrjes së informacionit, dhe më tej do të bëhen likujdimet e pagesave. Ky VKM i qeverisë parashikon dyfishimin e ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Shuma që do të derdhet në llogari është 26 mijë lekë, për një periudhë prej 3 muajsh”, u shpreh Vjero.

Më tej, zvëndësministrja e Financave deklaroi se ndihma ndaj biznesit të madh do të bëhet vetëm përmes daljes garant që qeveria shqiptare do të bëjë në bankat e nivelit të dytë, që ata të mund të marrin kredi për të paguar punonjësit. “Është parashikuar që për bizneset që hyjnë në listën e tatimpaguesve të mëdhenj, është garancia që del qeveria shqiptare, në bankat e nivelit të dytë, për marrjen e kredive, që të mund të paguajnë punonjësit e tyre. Është instrumenti i dytë që është parashikuar që të ndërmerret nga ana e qeverisë. Dje ka pasur një takim mes kryeministrit, guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe përfaqësuesve të nivelit të dytë, dhe shumë shpejt do të nisë dhe zbatimi i këtij instrumenti”, tha ajo.

Vjero foli dhe për skenarët me të cilët do të duhet të përballet qeveria shqiptare, në rast se periudha e pandemisë zgjat më shumë se tre muaj, dhe një nga masat që është marrë për të frenuar shpenzimet, është dhe pezullimi i prokurimeve publike. “Efektet në ekonominë shqiptare do të jenë tepër të ndjeshme edhe në ekonominë shqiptare, do të krijojnë rritje të borxhit, frenim të rritjes ekonomike, megjithatë prioritet për momentin mbetet shëndeti i njerëzve, dhe më pas biznesi. U vihet në ndihmë qytetarëve për të kaluar këtë situatë që është e paprecedentë, padiskutim nuk është i vetmi skenar që është menduar nga ana e qeverisë, por nëse gjendja do të përkeqësohet, patjetër që qeveria do të ketë një skenar të dytë. Ministria e Financave është duke bërë një monitorim shumë të rreptë të shpenzimeve që bëhen nga buxheti, në mënyrë që të mos përballemi me situata të pakëndshme. Është dhe një ndihmë prej 50 milionë eurosh që janë dhënë nga BE, shumica e të cilave do të shkojnë për rimëkëmbjen e ekonomisë, janë të ardhura që do të rialokohen. Jo më larg se dje janë pezulluar të gjitha prokurimet publike”, përfundoi Vjero.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here