Reja i vë pikat mbi “i”: Në mars zbatoj projektin e të rinjve, në shtator jemi gati

0
513

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, më në fund është shfaqur, për të komentuar jo vetëm shortin e Shqipërisë në grupin e katërt të Divizionit C në Ligën e Kombeve, por edhe për projektin e tij me të rinjtë që do ta nisë në fund të marsit, atëherë kur janë planifikuar të luhen dy takime miqësore me San Marinon dhe me Slloveninë, të planifikuara të luhen në Itali. Por koronavirusi ka futur në kolaps futbollin italian dhe me shumë gjasë edhe dy ndeshjet e Shqipërisë do të anulohen. Ndër të tjera, trajneri i kombëtares, Edi Reja ka zbuluar planet mbi disa futbollistë të veçantë në dy miqësoret e radhës të kuqezinjve. Në një intervistë për RTSH Sport, Reja theksoi se në ndeshjet e marsit ndaj Sllovenisë dhe San Marinos do ketë minuta për Brojën dhe Kamberin, ndërsa Kumbulla një 90-minutësh do e luajë të plotë. Dhe më së pari trajneri ka folur për situatën me koronavirusin në futbollin italian. “Ne jetojmë këtu dhe po e përjetojmë shumë këtë situatë aspak normale. E gjithë Italia është bllokuar si në nivelin industrial edhe në atë komercial. Është një katastrofë e vërtetë sepse çdo gjë është e mbyllur, madje edhe futbolli duket në vështirësi. Jetojmë në një situatë aspak të lehtë si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë sportiv. Është e pabesueshme ajo që po ndodh këtu. Një situatë, të cilën nuk e kam përjetuar të paktën unë personalisht”, theksoi ai.

Shorti në Ligën e Kombeve, Reja sheh vështirësi

Më pas tekniku foli direkt për shortin në Ligën e Kombeve, ku Shqipëria pretendohet se këtë herë pati fat me goglat. “U zhgënjeva që nuk isha i pranishëm në hedhjen e shortit por këtu ku jetoj unë disa kompani ajrore i kanë bllokuar fluturimet. Do të kisha pasur shumë dëshirë të isha i pranishëm në Holandë. Kam qenë në kontakt me presidentin Duka. Duhet të jemi në formë optimale në muajin shtator kur të nisim edhe t’i luajmë ndeshjet. Duhet ta nisim këtë rrugëtim në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të mos lëmë pas dore asnjë detaj. Janë që të gjitha transferta të vështira dhe duket theksuar që përveç faktit që janë shumë larg në dy prej tyre do të luajmë në fusha me bar sintetik. Duhet të jemi shumë të përgatitur, por mund të them që nuk është një short i keq sepse janë skuadra që mund t’i përballojmë. Gjithsesi me lejoni të theksoj se ndeshjet duhen luajtur”, nënvizoi ai.

Të rinjtë, ambicia e madhe e Rejës

Tekniku Edi reja nuk e fshehu se në strategjinë e tij në krye të Kombëtares do të jenë të rinjtë si objektiv parësor. Madje ai e ka përgatitur terrenin dhe i dëshironte dy miqësoret e marsit enkas për të testuar të rinjtë e shumtë që ka në fokus. “Po është e vërtetë, do të provoj disa lojtarë të rinj gjatë miqësoreve të radhës ku do të jenë të pranishëm edhe Broja e Kamberi. I kam ndjekur shumë që të dy gjatë kohëve të fundit. Dua të provoj lojtarë të rinj, sidomos të datëlindjes 1999-2000 por më duhet të pres edhe disa ndeshje përpara se t’i grumbulloj. Kumbulla po zhvillon një kampionat shumë të rëndësishëm por ka ende marzhe përmirësimi. E kam, ndjekur edhe gjatë seancave stërvitore të Veronës. Di që Kumbulla ashtu si Rrahmani ishte shumë pranë Napolit por ai dëshiron të qëndrojë te Verona deri në fund të sezonit dhe më pas të studiojë të gjitha ofertat që do t’i vijnë. Me Kombëtaren do të marrë minuta të plota në një prej ndeshjeve miqësore por nuk mund të them me Slloveninë apo San Marinon”, theksoi më tej trajneri Reja. Në fund, për teknikun e skuadrës kuqezi ka vend për një koment në lidhje me mundësinë e anulimit të miqësoreve të marsit. “Jemi të gjithë në pritje. Nuk e di, shpresojmë që të ulet intensiteti i virusit dhe ta kufizojmë sepse edhe gjatë ditëve të fundit rastet janë shtuar. Në Shqipëri mesa kam dëgjuar nuk ka probleme dhe ndoshta mund t’i luajmë në Tiranë sfidat me Slloveninë dhe San Marinon. Unë shpresoj që të luhen në Shqipëri”, përfundoi trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë, Edi Reja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here