Artan Imami vjen në skenë me komedinë premierë “Don Zhuan”, të Molierit

0
231

Komedia “Don Zhuan” e Molierit ngjitet këtë mbrëmje në skenë te “Ar Turbina”, me regji nga Artan Imami. Këtë herë regjisor, Artan Imami i vlerësuar me aktivitetin e tij në teatër sjell për publikun kryeveprën e Molierit. Rolet e komedisë luhen nga aktorët Artan Imami, Xhejni Fama, Luiza Xhuvani, Genti Deçka, Dajana Nenaj, Alesia Xhemalaj, Donald Shehu dhe Xhuliano Brisku. Teatri Kombëtar shprehet se komedia do të jetë në skenën e madhe te “ArTurbina”, nga mbrëmja e datës 6 deri më 15 mars. E vlerësuar në jetën artistike, me role këtë herë në komedinë “Don Zhuan” vjen dhe Alesia Xhemalaj. Aktorja tregon se janë role të ndryshme, nga një vajzë e thjeshtë deri tek ai i fantazmës. “Roli im i parë është ai i Maturinës, një tjetër “pre” e Don Zhuanit. Maturina është një vajzë e thjeshtë, e cila jeton në një provincë. Me ardhjen e Don Zhuanit në vendin, që ajo jeton bën që jeta e saj të ndryshojë sa hap e mbyll sytë. Bie në grackën e tij të dashurisë pa ditur se ai ju premton dashuri çdo vajze, që ndesh. Roli i dytë është ai i shërbyeses karizmatike dhe trazovaçe, që i vjen pas avazit zotërisë së saj. Roli i tretë është fantazma, e cila i pret rrugën dhe e paralajmëron Don Zhuanin për rrezikun, që i kanoset në njeriun që është shndërruar. Personazh, i cili paralajmëron dhe vdekjen e tij”, tregon aktorja. Duke folur për këtë vepër, aktorja tregon se puna për të sjellë në skenë ka qenë e madhe, ndërsa vlerëson dhe bashkëpunimin me regjisorin Artan Imami. “Artani është një regjisor shumë komod, i cili të jep mundësi për të shpërfaqur veten më së miri. Ka qenë një punë shumë intensive, siç ndodh në përgjithësi në teatër, me prova deri në orët e vona dhe me shumë impenjim. Tani në prag premiere uroj të shkojë çdo gjë më së miri dhe t’ia servirim spektatorit gjithë dashurinë dhe përkushtimin tonë”, shprehet mes të tjerave aktorja Alesia Xhemalaj, e njohur për publikun me role të ndryshme në skenat teatrore. Skenografia në vepër është nga Artan Imami, Maringlen Buzali dhe Erald Doda, kostumografia nga Florenca Bellova.

Komedia në skenë

Komedia e Molierit këtë mbrëmje vjen premierë në skenë për publikun, por aktorja Alesia Xhemalaj tregon se në qendër të saj është një figurë aktuale e shoqërisë sonë. “Don Zhuani i Molierit është një figurë shumë komplekse po aq dhe aktuale e shoqërisë sonë, pavarësisht kohës kur është shkruar vepra. I pafytyrë, maskara, dashnor deri në vdekje dhe tradhtar pa skrupuj. Një njeri i tillë nuk do të çudiste në ditët e sotme, pasi ka aq shumë rreth e përqark nesh. Ngjarjet do të zhvillohen në një ambient, që i ngjan një mauzoleu. Janë historitë e dashurive ngurosur nëpër mure, të cilat do të donin të shpëtonin prej kësaj gracke të thurur mjeshtërisht nga një njeri, jo i pashpirt, por tragjik”, shprehet aktorja Xhemalaj. Në materialin e veprës, Teatri Kombëtar pohon se kryevepra “Don Zhuan” e prezantuar për herë të parë në vitin 19665, është ndoshta komedia më e diskutueshme dhe enigmatike e Molierit. Vepra në fakt duket e përbërë nga skena të pavarura, të cilat nuk kanë një lidhje logjike. Artan Imami kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve, Dega “Dramë” (1983). Pas mbarimit të studimeve, z. Imami u emërua si aktor në Teatrin Popullor dhe luajti aty disa role kryesore, deri në vitin 1996. Nga rolet e para, të cilat i dhanë sukses, ishte Petrucio-s në komedinë “Zbutja e Kryeneçes” nga Shekspiri, një rol, me të cilin u afirmua si aktor i mirëfilltë. Cilësinë më të lartë të aktrimit të tij e arriti me rolin e Stresit, te dramatizimi i novelës së Ismail Kadaresë “Kush e solli Doruntinën”. Ndër vite Imami ka punuar jo vetëm si aktor, por edhe si regjisor ku mund të përmendim komedinë “Tango”, dramën “Mashtrimi”etj.

Leave a Reply