Komedia “Kopshti me dallëndyshe” vjen mbrëmjet e së martës dhe mërkurës, në skenën teatrore për publikun. Vepra e autorit Babis Cikliropulos shfaqet në sallën “Eksperimental” te “ArTurbina”. Vepra e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vjen me regji nga Kiço Londo. Në komedinë “Kopshti me dallëndyshe” pesë të “sëmurë psikikë”, të izoluar në një çmendin, nën kujdesin e një psikiatre, gardiane dhe tinëzare, zbukurojnë një bredh natën e krishtlindjeve. Ata nuk kanë asnjë problem psiqik dhe aq më pak të jenë të rrezikshëm. Problemet e tyre janë shpirtërore. Edhe pse të burgosur në çmendinë ata janë të dashur të dhembshur, fisnikë dhe plot humor. Të çmendurit e vërtetë janë në “botën normale”. Në ketë botë janë djajtë, të shëmtuarit, të rrezikshmit. Në këtë botë gjenden shpirtrat e rrënuar nga masakra morale, lakmia dhe pangopësia. Dallëndyshet brenda, grabitqarët jashtë. Edhe pse me zemër të plagosur, të tradhtuar, të depersonalizuar, të shkatërruar personazhet e çmendinës janë gjithë ëndrra dhe thonë të vërteta të mëdha me humor brilant. Vepra është përkthyer nga Vasilika Londo dhe vjen në skenë më aktorët e njohur Ermira Hysaj, Erand Sojli, Arjola Demiri, Suela Bako, Mehdi Malkaj dhe Naun Shundi. Skenograf Beqo Nanaj, kostumografe Borana Gjyzeli dhe as/regjisorë Kevin Rrapaj dhe Olgert Mataj. Në materialin e veprës, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahiviogli”, shprehet se kjo shfaqje sjell ndër të tjera dhe një humor të bukur. “Vepra është e mbuluar me vellon më të bukur të humorit, që është krijuar ndonjëherë. Të qeshura dhe argëtim pafund ju pret në skenën tonë”, pohon teatri. Ndërsa është lajmëruar shfaqja, që do të vijë në skenën teatrore gjatë këtyre ditëve nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” janë prezantuar dhe të tjera shfaqje për publikun, vepra të autorëve të njohur. Por këto ditë në skenë do të vijë një komedi, që premton argëtim dhe të qeshura për të gjithë artdashësit e teatrit. Në komedi me rol është dhe aktori i njohur Erand Sojli, një emër i vlerësuar për aktivitetin e tij artistik. Këtë herë për premierën “Kopshti me dallëndyshe” ai u shpreh se roli që i ka besuar regjisori Londo, dikur e ka interpretua dhe aktori i madh Agim Qirjaqi.








































