Google search engine
Home Sport Alarm nga koronavirusi, UEFA dhe FIFA shqyrtojnë mundësinë e shtyrjes së Europianit

Alarm nga koronavirusi, UEFA dhe FIFA shqyrtojnë mundësinë e shtyrjes së Europianit

0
429

Koronavirusi po alarmon Europën dhe për rrjedhojë edhe futbollin kontinental. Me dhjetëra ndeshje në Itali dhe në Europë janë shtyrë për më vonë, kjo si pasojë e numrit në rritje të të infektuarve, madje dhe pjesëtarë të futbollit. Shtyrja e kryendeshjes së javës në Itali, mes Interit dhe Juventusit, shënoi një pikë kulmore në perceptimin e virusit dhe rrezikun e tij për tifozët dhe futbollistët. Kjo ishte edhe arsyeja e shtyrjes së kësaj ndeshje për më 13 maj, por tani në skenë nuk janë vetëm federatat e vendeve të ndryshme europiane, por edhe dy qeveritë e futbollit, ajo e Europës dhe ajo e botës, pra UEFA dhe FIFA, të cilat po ndjekin me vëmendje situatën dhe pranohet edhe zyrtarisht se po shqyrtojnë mundësinë e shtyrjes së shumë ndeshjeve në top-kampionatet europiane, por edhe të vetë Kampionatit Europian. Kështu, drejtuesit më të lartë të UEFA-s, të kryesuar nga presidenti Aleksander Ceferin, janë mbledhur në Amsterdam për të diskutuar për evolucionin e Koronavirusit dhe ndikimin që mund të ketë në botën e futbollit. UEFA vazhdon të këmbëngulë se nuk do të ketë asnjë impakt në organizimin e Kampionatit Europian, verën e ardhshme, që do të organizohet nga 12 vende të ndryshme. Greg Klarke, presidenti i Federatës së Futbollit (Angli) dhe zëvendës president i FIFA-s, ka deklaruar se nuk pret që frika nga Koronavirusi të prekë ndeshjet miqësore të “Tre Luanëve” kundër Danimarkës dhe Italisë, të programuara për t’u zhvilluar në “Wembley” në fund të marsit. “Ne vijojmë me programin tonë, edhe pse jemi gati të përshtatemi në rast ndryshimesh që mund të vendosen nga lart. Edhe presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, la të kuptohet që nuk përjashtohet asnjë masa ekstreme në rast të shtimit të rrezikut nga Koronavirusi, qoftë edhe anulimi i Euro 2020. “Nuk mund të përjashtojmë asgjë, por nuk duhet të na zërë paniku. Personalisht, nuk jam i shqetësuar, por duhet t’i shohim me shumë seriozitet zhvillimet. Shpresojmë që të mos arrijmë deri në pezullimin e eventeve të rëndësishme të shkallës globale”, theksoi Infantino. Mbetet të shihet se çfarë masash konkrete do të marrë UEFA për këtë çështje, pasi ajo është përgjegjësja për organizimin e Kampionatit Europian, që këtë vit zhvillohet në shumë vende e në shumë stadiume europiane, duke qenë kështu një rrezik i madh për infektimin e shumë njerëzve. Pikërisht shtrirja e madhe e ndeshjeve të Europianit, ka bindur UEFA-n dhe FIFA-n që ta shqyrtojnë seriozisht mundësinë e anulimit dhe shtyrjen për një kohë tjetër të Europianit-2020. Në këto rrethana, mbetet vetëm shqyrtimi me detaje nga ekspertët, pasi të konsultohen me federatat e vendeve që kanë siguruar kualifikimin, por edhe me autoritetet pritëse të ndeshjeve. Pozicionimi i dy krerëve të UEFA-s dhe FIFA-s, Ceferin dhe Infantino, dukshëm të shqetësuar për përhapjen e koronavirusit edhe në fushat e futbollit, dëshmon se shtyrja e Europianit ekziston si mundësi dhe është një plan rezervë i UEFA-s në ditët e ardhshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here