SHBA sjell ekspertë për ngritjen e BKH, monitorim procedurave për zgjedhjen e drejtuesit dhe hetuesve, tjetër mesazh për instalimin e shtetit ligjor

0
509

Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë e gjitha në duart e amerikanëve. Ndryshe nga se ndodhi me SPAK, KLP, KLGJ, KED, etj, ku përzgjedhja e anëtarëve u bë nga institucionet shqiptare, ndryshe do të ndodhë me Byronë e Hetimit. Ambasada amerikane ka treguar edhe njëherë dje se është përkushtuar që BKH të jetë e paanshme dhe të mos tolerojë askënd. Në kuadër të kësaj nisme, ambasada ka sjellë nga SHBA-ja ekspertë që po monitorojnë zgjedhjen e kreut të Byrosë së Hetimit, ndërkohë që e njëjta gjë do të ndodhë dhe me 60 hetuesit e këtij institucioni. Lajmin e bëri vetë me dije ambasada amerikane në Shqipëri, ku përmes një postimi në Facebook, zbardhi detajet. “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për të forcuar sundimin e ligjit përmes proceseve transparente. Nën monitorimin e qeverisë së SHBA, komisioni përzgjedhës i SPAK është tashmë në fazat përfundimtare të përcaktimit të kandidatit më të mirë për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Në përputhje me ligjin e SPAK dhe frymëzuar nga praktikat më e mira të FBI-së, kandidatët e mundshëm duhet të dëshmojnë aftësitë e tyre në një larmi provash. Në 6 shkurt, kandidatët iu nënshtruan një prove të aftësive fizike që përfshinte 300 metra vrapim me shpejtësi, 2.4 kilometra vrap, dhe ushtrime të tjera. Pas këtij provimi, më 10 shkurt kandidatët morën pjesë në një testim me shkrim me dy pjesë, për të provuar aftësinë e tyre të shkrimit profesional dhe për të sprovuar aftësitë e tyre në shkathtësinë mendore dhe zgjidhjen e problemeve. Rezultatet nga provimet i shtohen një totali përmbledhës dhe do të përcaktojnë gjashtë kandidatët kryesorë që do të kalojnë në fazën përfundimtare: në testimin poligrafik dhe intervistën finale”, shkruhet në postim. Duke mos mjaftuar me kaq, ambasada amerikane e mbyll postimin me një mesazh, që ka të bëjë me instalimin e shtetit ligjor. “Ky proces transparent dhe objektiv është një hap tjetër drejt vendosjes së sistemit të drejtësisë etik, transparent dhe profesional që qytetarët meritojnë”, përfundon postimi.

Takimi Balla-Yuri Kim

Po dje, ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka takuar kryetarin e Grupit Parlamentar të PS Taulant Ballën, dhe ky i fundit përmes një postimi në Facebook ka shprehur se bashkëpunimi që Shqipëria ka me SHBA-të është shumë i rëndësishëm, duke theksuar dhe avantazhet e këtij partneriteti. “SHBA janë aleati dhe partneri ynë strategjik. Për ne marrëdhëniet me SHBA janë të rëndësisë parësore në nivelin e partneritetit strategjik dhe përbëjnë themelin e politikës sonë të jashtme. Bashkëpunimi me SHBA është sot në një nivel të shkëlqyer në dobi të zhvillimeve demokratike, të forcimit të shtetit ligjor dhe të parimeve të ekonomisë së tregut, në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, të luftës kundër terrorizmit”, tha Balla, ndërsa theksoi se prioriteti thelbësor duhet të jetë investimi në ekonominë shqiptare. Ai deklaroi se SHBA është krah të Shqipërisë. “Mbështetja që SHBA i ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve Shqipërisë nëpërmjet agjencive të saj për ndërtimin e institucioneve dhe krijimin e parametrave të tregut të lirë, duhet të shoqërohet tashmë me investime të drejtpërdrejta amerikane veçanërisht në sektorët strategjikë e ata prioritarë të ekonomisë shqiptare. Realizimi i këtij synimi duhet të jetë një prioritet thelbësor, i dorës së parë në marrëdhëniet tona me SHBA”, përfundoi ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here