Tërheqja e Lulzim Bashës nga skenarët destabilizues dhe ulja në një tryezë me PS për t’i dhënë fund krizës politike nuk është pritur mirë nga shumë zëra brenda PD e LSI. Ashtu siç gazeta e tha një ditë më parë se presidenti Meta dhe ish-kryeministri Berisha nuk e kanë kapërdirë dot, dje është vërtetuar një gjë e tillë. Pavarësisht presioneve, Basha ju bind ndërkombëtarëve dhe pranoi uljen në tryezë, ndërkohë LSI e ndoqi nga pas nga halli i një pakti të dytë si ai i 17 majit. E sigurt është se negociatat janë zhvilluar mes PD e PS prej dy muajsh dhe kjo i ka kapur në befasi Metën, Berishën dhe LSI. Sinjalet u dhanë dje. Ndryshe nga Berisha që nuk ka folur ende, Meta reagoi në një intervistë në mediat kosovare. Mënyra e reagimit të Metës la të nënkuptohet se presidenti nuk e ka pritur dhe aq me qejf këtë takim. Ai ka sulmuar drejtpërdrejt kreun e opozitës. Duke marrë spunto nga tryeza, Meta tha se opozita është fajtorja e gjithë kësaj situate, pasi dogji mandatet. Po ashtu nuk ka shmangur sulmet as ndaj qeverisë. “Prandaj jemi këtu, sepse përgjegjësia është e përbashkët. Përgjegjësia është e mazhorancës, e cila kërkon të ushtrojë pushtete që dalin jashtë kufijve që ia përcakton Kushtetuta qeverisë dhe që dëmtojnë rëndë parimin e balancës dhe kontrollit të pushteteve që është i domosdoshëm për një funksionim demokratik të shtetit. Padyshim që përgjegjësia është edhe e opozitës, e cila zgjodhi rrugën e deligjitimimit të institucioneve përmes largimit nga Parlamenti, përmes mospjesëmarrjes në zgjedhjet vendore. Këtu nuk po nuk flasim për një përgjegjësi thjesht të një force apo të një individi të caktuar”, tha Meta. Deklarata e tij duket se është një goditje e fortë për Bashën dhe Ramën, pak orë para se palët të uleshin për të bërë konstituimin e Këshillit Politik. Sinjalet janë se Meta është i trembur nga një marrëveshje politike. Në 2008 dhe në 2017 LSI ka dalë humbur dhe ekziston frika se dhe këtë herë mund të ketë një pakt në kurriz të saj. Jo pa qëllim pakti erdhi kur shkarkimi i Metës është në prag të derës, ndërkohë gazeta e tha dje se presidenti u la jashtë gjithë këtij procesi të rëndësishëm. Sulmet e djeshme të Metës tregojnë qartë se ashtu si më 17 maj, edhe tani ai me Berishën janë më të tremburit.
Meta në sulm ndaj qeverisë
Ndryshe nga sa ndodh normalisht me liderët europianë, të cilët asnjëherë nuk i sulmojnë rivalët politikë në mediat e huaja, nuk ndodh kështu me presidentin Meta. Gjatë një interviste dje për një media kosovare, ai ka shpërthyer në sulme të forta ndaj qeverisë. “Mazhoranca e di shumë mirë se mua nuk më shkarkon dot. Për arsye se unë, jo vetëm nuk kam shkelur Kushtetutën, por edhe nëse një president mund të nxirrte një akt, pra nxjerr një dekret sikurse nxjerr Parlamenti një ligj apo qeveria nxjerr një vendim, dhe vlerësohet se nuk është në përputhje me Kushtetutën, kjo nuk është kurrë një shkak për shkarkim, përkundrazi. Për më tepër që Kushtetuta e Shqipërisë e mbron në mënyrë të jashtëzakonshme presidentin për shkak se presidenti është përfaqësues i interesave të shtetit. Dhe padyshim që Kushtetutë-bërësi e ka parashikuar që Presidenti për arsye nga më të ndryshmet mund të jetë nën presione të forta, që duhet të mbrojë një interes shtetëror apo kombëtar”, ka deklaruar dje Meta. Më tej ai ka sulmuar drejtpërdrejt Ramën. Po ashtu ka deklaruar se Parlamenti është ilegjitim. “Ajo që më preokupon është rruga mjaft e gabuar e mazhorancës, e kryetarit të saj, që praktikisht ka vënë në diskutim legjitimitetin e të gjitha institucioneve në vend. Të mos harrojmë se kemi një Kuvend me 122 deputetë nga 140 që është numri kushtetues i Kuvendit të Shqipërisë! Le të mos harrojmë se nga Parlamenti nuk kanë ikur thjesht 60-të deputetë të opozitës, por kanë ikur 183 deputetë dhe kandidatë për deputetë. Pra në listat e të gjitha partive të opozitës”, tha më tej Meta. Ai u shpreh më tej se mazhoranca po mundohet t’i frikësojë të gjithë.