Komisioneri Publik kërkoi riçeljen e hetimit për kriterin e pasurisë, prokurori Dollapaj prova të reja pranë KPA

0
430

Në seancën e djeshme kundrejt prokurorit të Apelit të Shkodrës, Arben Dollapaj, Komisioneri Publik shprehu vlerësimin e tij mbi mënyrën e trajtimit të denoncimeve të publikut. Gjithashtu, Komisioneri vlerësoi se të dhënat e një pjese të denoncimeve i ka pasqyruar në shkaqet e ankimit, ndërsa për pjesën tjetër, deklaroi se nuk përmbajnë shkaqe të mjaftueshme për hetim të mëtejshëm nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Ndërsa lidhur me kërkesën për informacion dërguar në disa institucione, kryesuesi i trupës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit bëri me dije se përveç Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, kanë kthyer përgjigje lidhur me dokumentacionin shtesë të kërkuar nga Kolegji në funksion të shqyrtimit të çështjes. Ndërsa nga ana tjetër, prokurori Arben Dollapaj paraqiti akte të reja shtesë, duke i kërkuar trupës gjykuese që t’i pranojë si provë. Për seancën e radhës, e cila u la për në datën 4 shkurt, trupi gjykues tha se palët do të shprehen për formën dhe përmbajtjen e materialeve të prezantuara seancën e djeshme. Gjithashtu trupi gjykues i vendosi në dispozicion prokurorit dhe Komisionerit përgjigjet e ardhura nga institucionet shtetërore, dhe veçanërisht Dollapajt denoncimet e publikut. Në gusht të 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokurorin e Apelit. Për një vit, Dollapaj duket se shpëtoi. Pas një viti, Komisioneri Publik ankimoi vendimin e shkallës së parë, duke iu drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që të riçelë hetimin gjyqësor për kriterin e pasurisë. Sipas Komisionerit, hetimi i kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është i paplotë. Ankimimi i Komisionerit Publik ka nisur edhe nga dy denoncime. Një bëhet fjalë për shtëpinë në Valbonë e deklaruar si e tillë nga Dollapaj, në të cilën ky i fundit ka në pronësi ¼ nuk ishte banesë, por shërbente për hoteleri. Duke iu referuar deklarimit të Dollapaj se ndërtesa ishte blerë me kërkesë të nënës, pasi ajo kishte lindur në atë zonë dhe se ishte shtëpi banimi, Komisioneri thotë se duhej verifikuar funksioni i vërtetë i banesës gjë që nuk është kryer nga KPK. Gjithashtu, sipas tij KPK nuk kishte hetuar burimin e ligjshëm të pasurive të personave të lidhur, përfshi vëllanë, motrat në SHBA që i kanë bërë Dollapajt disa dhurata dhe të personit që kishte kryer me “çmim preferencial” ndërtimin e katit shtesë të shtëpisë në Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here