KPK zbardh vendimin e shkarkimit të prokurorit, Simon Pashuku jep shpjegimet për borxhet e marra nga familjarët

0
315

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin e shkarkimit të prokurorit të Lezhës Simon Pashuku. I hetuar vetëm për kriterin e pasurisë, Komisioni ka pasqyruar në vendim shpjegimet e bëra nga prokurori Pashuku. Kujtojmë se mosdeklarimi i pasurisë ishte një nga gjetjet si të Komisionit ashtu dhe të ILDKP-së. Për pasurinë apartament në Shkodër përfituar në bazë të kontratës së sipërmarrjes, për 60.000 euro, Pashuku ka burim krijimi kredi në vlerën 25.000 euro dhe dhurime nga vëllai dhe motra. Për këtë pasuri, KPK ka konstatuar se prokurori para fillimit të detyrës nuk e ka deklaruar burimin e krijimit të kësaj pasurie, si dhe pjesën takuese që zotëron. Për këtë konstatim, Pashuku ka shpjeguar detajisht situatën.

“Ne nuk kemi mbajtur asnjë dokument, pasi në atë periudhë unë nuk kam qenë subjekt i deklarimit dhe në bazë të ligjit nuk kam pasur detyrim të deklaroj dhuratat”, shkruhet në vendim, ndërsa shton se e ka bërë deklarimin në ILDKP në 2016 kur është pyetur, ndërsa shpjegon mospasjen e dokumenteve.

“Gjithashtu, për të provuar që të ardhurat e tyre janë të ligjshme kam paraqitur dokumentacionin provues, poste pagat, kjo për të provuar se të ardhurat e tyre janë të ligjshme në bazë të punës së tyre dhe se kanë pasur mundësi financiare për të më dhuruar shumat e parave. Fakti që vëllai im më ka dhuruar një shumë parash të konsiderueshme prej 20.000 euro është bërë me dëshirën e tij dhe në bazë të një marrëveshje (marrëveshje gojore), që kemi bërë unë dhe im vëlla në momentin e ndarjes së pasurisë në fshatin B, Shkodër, ku ne kemi dhe banesën e trashëguar nga babai, unë do ia dhuroja atij, pra, nuk do të merrja pjesën time takuese”, tha ai.

Për shumën e dhuruar nga vjehrri, Pashuku shpjegoi se ai ka pasur mundësi. Por KPK pas hetimit arriti në një tjetër përfundim. “Për vitin 2008, kur pretendohet të jetë kryer dhurimi, pronar të depozitës kanë qenë I dhe J. M dhe depozita dyemërore nuk provon mundësitë financiare të dhuruesit. Nga subjekti nuk është sjellë asnjë provë për të provuar burimin e krijimit të të ardhurave të dhuruesit”, shkruhet në vendim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here