Shkrimtarë dhe botues të mbledhur në takimin, që u zhvillua në Bibliotekën Kombëtare, u shprehën se libri është në agoni. Në takimin “Letërsia dhe libri në dekadën e re”, në prani të ministres së Kulturës Elva Margariti ata u shprehën për jo pak probleme. Biblioteka të varfra, librari që po mbyllen, probleme me taksën, etj, ishin disa nga problemet që u diskutuan.
Studiues dhe botues, Ndriçim Kulla u shpreh se për librin duhet të kishin rënë me kohë këmbanat e alarmit në vend. “Mendoj se libri shqip është përballë arkivolit, është shumë keq. Vjet është bërë një sondazh, ku 1 milion shqiptarë nuk kishin lexuar asnjë libër. Duhet të kishin rënë me kohë këmbanat e alarmit, sepse këtë gjendje se krijon vetëm lexuesi. E krijon interneti, që e ka dobësuar leximin, por dhe varfëria, e krijon dhe rritja e çmimit që botuesit i vënë jashtë dëshirës së tyre, sepse këto janë zinxhir. Kur them jashtë dëshirës, sepse me këtë politikë fiskale për librin që është realitet, po ku ka vend në botë të tatohet libri? Kjo është çmenduri. Po e keni parasysh çfarë tregu jemi? Jemi treg, që po ikin përditë njerëzit”, u shpreh botuesi Kulla.
Në reagimin e tij, studiuesi theksoi se qeveria nuk duhet ti shikojë botuesit si njerëz që fitojnë, por ti ndihmojë ata në aktivitetin e tyre me librin, që ka rëndësi dhe për gjuhën. “Duhet shtuar fonde urgjentisht, libri është i rëndësishëm. Qeveritarët nuk duhet të punojnë vetëm për të sotmen, por dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Nuk duhet thjesht, që unë lexoj një libër, por duhet dhe të rigjallërohen projekte, e fonde të bibliotekave që u krijuan me shumë mund. Ne me shumë vështirësie çamë dhe arritëm krijuam, por ato digjen dhe kjo është absurditet. Pse digjen? Sepse ligji i librit është bërë i tillë, këtu janë bërë gjëra të çrregullta”, tha Kulla.
Në fjalën e tij botuesi dhe studiuesi Ndriçim Kulla tha se duhet të krijohet një platformë dhe problemet ti përcillen dhe kryeministrit. “Unë mendoj se ne duhet të trajtojë problemin e emergjencës së librit, është agoni. Sa ishin blerjet në panair? 60 për qind kanë rënë, këto janë këmbana alarmi. Unë kam një recetë timen. Mendoj të krijohet një platformë, që të ballafaqohet me të gjithë botues e studiues, me njerëz të angazhuar dhe kjo të vihet përballë një angazhimi politik. Me në krye ministren, këto probleme që ka libri ti shkojnë kryeministrit, qeverisë, që ata mund të merren seriozisht me problemin e librit, që nga pikëpamja e tatimeve janë skandal, por dhe nga subvencionet, por dhe e stimulimit, të leximit, librave që duhen botuar”, tha mes të tjerave studiuesi Kulla.
Programet me librin
Në fjalën e saj ministrja e Kulturës Elva Margariti, u shpreh për programet që ka realizuar ministria që ajo drejton, si dhe ato që do të vazhdojnë për librin. Ministrja u shpreh se janë tre sfida gjatë këtij viti. “Sfidat tona janë ajo e gjithpërfshirjes, e forcimit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, dhe 100 -vjetori i Bibliotekës Kombëtare. Janë tre tema, që do të kthehen në programe”, tha Margariti.
Në këtë takim ministrja Maragriti bëri me dije dhe emërimin e Alda Bardhylit si drejtuese të QKLL, dhe shtoi se e për 100 vjetorin e Bibliotekës Kombëtare po hartohet një kalendar aktivitetesh. Ministrja Margariti bëri me dije bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, për ti dhënë një hapësirë të re kësaj biblioteke. “Ajo që kemi thënë gjithmonë, që hapësira e nevojshme do të ishte një bibliotekë e re kombëtare. Ne në një komunikim që kemi pasur me bashkinë e Tiranës, na janë përgjigjur pozitivisht për një bashkëpunim”, tha Margariti.
Në fjalën e tij drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha, tha se ky institucion mos të jetë thjesht një qendër e kujtesës. “Pra mos shikojmë vetëm për ruajtjen, etj, por biblioteka të jetë dhe një qendër debatesh dhe diskutimesh. Tjetër problem është se ne kemi hapësira shumë të kufizuara”, tha Misha. Në fjalën e tij drejtori i Bibliotekës Kombëtare u shpreh jo vetëm për 100 -vjetorin e institucionit, por dhe për problemet me librin. “Mendoj që ka ardhur koha për librin, që ministria të bëjë diçka më të rëndësishme. Mendoj se duhet të hiqet dorë dalëngadalë nga roli i ministrisë si donacion për librin, por të krijojë politika. Ka ardhur koha që të ngrihet zëri, që autorët shqiptarë të mos tatohen 15 për qind. Sepse paguhen aq pak sa nuk janë të motivuar. Ne jemi një treg i vogël dhe duhet nxitur tregu. Problem tjetër është aktivizimi i bibliotekave”, tha Misha ndër të tjera.
Për shkrimtaren Diana Çuli sot kemi biblioteka në qytete, që nuk kanë libra pas ’90. “Në Pogradec jam ndjerë keq, sepse ata kishin në bibliotekë vetëm libra deri në vitin 1980. Pas këtij viti nuk kishin më libra. Pra vetëm libra që janë botuar në kohën e komunizmit, nuk kishte të tjerë”, tha Çuli. Por dhe për autorin Preç Zogaj përballë problemeve me librin, edhe libraritë po përballen me shumë probleme. “Libraritë po zhduken, janë zhdukur duke kundruar njëri pas tjetrit ministrat” tha mes të tjerave Zogaj. Në reagimet e tyre autorët u shprehën se duhet të ketë më shumë diskutime dhe takime për librin në vend.