Spartak Ngjela: Ja kush janë 11 fushat që duhet të hetojnë SPAK dhe BKH, kanë shkaktuar korrupsion të lartë shtetëror

0
265

Avokati Spartak Ngjela ka listuar disa nga faktorët që kanë ndaluar zhvillimin e vendit ndër vite dhe që sipas tij duhet të përfshihen në hetimet e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Përmes një postimi të gjatë në rrjetin social Facebook, Ngjela u shpreh se SPAK duhet t’i shtrijë hetimet që nga arsimi, shkenca, gjuha dhe komunikimi e deri tek liria e shtypit dhe fjalës së lirë. “Korrupsioni i lartë shtetëror ka ndaluar historinë evolutive të Shqipërisë. Historia reale e një kombi ndalon atëherë kur kësaj shoqërie i ka ndaluar evolucioni. Korrupsionet kryeministrorë që pasuan njëri-tjetrin në Shqipëri, tani kuptohet se kanë ndaluar evolucionin e shoqërisë shqiptare. Ndalimi i evolucionit shoqëror, në thelb është ndalim i historisë evolutive për atë shoqëri. Por, cilët janë ingredientët e një evolucioni në zhvillimin kombëtar në një shtet apo në një shoqëri të caktuar? Ata janë: Arsimi, prodhimi, shkenca, gjuha, komunikimi, liria shoqërore, liria politike, liria ekonomike, liria e shtypit, media dhe fjala e lirë, drejtësia. Të gjithë këta ingredientë në Shqipëri janë jashtë zhvillimit, prandaj ka ndaluar evolucioni shqiptar, i cili ka ndaluar evolucionin e koshiencës shqiptare dhe njëherësh, ka ndaluar vetë historinë”, u shpreh Spartak Ngjela. Më tej avokati ngre pyetjen nëse Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion do të mund të hetojë korrupsionin në këto 11 fusha apo jo. “E pse të zgjatemi: pyetja që ngrihet këtu duhet të jetë kjo: A do ta hetojë Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion këtë batërdi antishqiptare? Këta duhet ta hetojë, sepse hetimi dhe agjencitë informative amerikane i kanë të faktuara, kurse shqiptarët duan të dëgjojnë të vërtetën nga hetimet: përse gjithë ky mllef antishqiptar kundër prosperitetit të shoqërisë shqiptare”, u shpreh avokati Spartak Ngjela përmes një postimi në rrjetin social Facebook. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here