Shtohen vitet e dënimit për Kostandin Xhuvanin, Gjykata e Gjirokastrës jep 4 vite burg për përplasjen me armë në 2014a

0
403

Postuar: 07/12/2019 – 07:40

Kostandin Xhuvanit i janë shtuar edhe katër vite të tjera burg, duke e çuar në 39 vite burg dënimin që ka për të shlyer. Gjykata e Gjirokastrës ka dënuar me 4 vite burgim Xhuvanin për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve”. Gjithashtu togat e zeza të qytetit të gurtë kanë dënuar me 1.5 vite burg Kujtim Budanin, ish-infermierin e Spitalit Psikiatrik në Elbasan, i akuzuar për “Falsifikim dokumentesh”. Çështja në ngarkim të Xhuvanit është dërguar që prej muajt shkurt të këtij viti në Gjykatën e Gjirokastrës për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit”, ndërkohë i pandehur për këtë çështje u mor edhe infermieri i Spitalit Psikiatrik në Elbasan, Kujtim Budani, i cili rezulton të ketë kryer veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”. Në fakt ishte vrasja e katërfishtë për të cilën Xhuvani është dënuar me 35 vjet burg që riktheu në skenë historinë e kanosjes në Gjirokastër në prill 2014. Kjo dosje penale është hapur dhe mbyllur disa herë nga prokuroria, por këtë herë pas disa verifikimeve të imtësishme, prokuroria ka arritur të zbulojë të gjithë kronologjinë e këtij krimi të ndodhur në Gjirokastër. Kryerja e ekspertizës balistike të armës që përdori Xhuvani në masakrën e katërfishtë në Tiranë me tre gëzhojat e sekuestruara në ngjarjen e Gjirokastrës rezultoi se ishte e njëjtë me armën që u përdor në ngjarjen e 25 prillit të po atij viti në Gjirokastër.

Ngjarja

Në datën 25 prill 2014, rreth orës 19:30, është njoftuar Salla Operative e Komisariatit të Policisë Gjirokastër se pranë lokal “Lithiumit” në lagjen 18 Shtatori ka ndodhur një konflikt me armë ku një person ka qëlluar me pistoletë. Menjëherë është shkuar në vendin e ngjarjes ku është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes si dhe shoqërimi për në Komisariat i disa personave të pranishëm. Nga këqyrja rezultoi se vendi i ngjarjes ndodhej në rrugën përreth stadiumit të qytetit dhe konkretisht përballë portës së stadiumit dhe dyqaneve “Lei-Lui”, butik rrobash. Në këtë segment përballë dyqanit janë të parkuara përbri njëra-tjetrës automjete të llojeve të ndryshme si “Fiat”, “Benz” me ngjyrë ulliri si dhe automjete të tjera. Gjatë këqyrjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale tre gëzhoja metalike si ato të armëve të zjarrit si dhe automjeti tip “Benz”, xhami i pasmë i të cilit është dëmtuar totalisht. Është bërë kontrolli i automjetit, ku gjatë kontrollit të këtij automjeti në brendësi të tij, poshtë mbajtëses së dorës, në mes të dy sediljeve të para të mjetit u gjet një pjesë metalike si ajo e predhave të armëve luftarake, e cila ishte në gjendje të dëmtuar. Për nevoja të hetimeve, policia gjyqësore sekuestroi tre gëzhojat metalike si dhe automjetin ku u gjet predha e armës. Ndërkohë nga paraqitja për njohje me anë të fotografive, rezultoi se një nga personat që ka qenë në vendngjarje identifikoi si person i cili qëlloi me pistoletë, Kostandin Xhuvanin nga Tirana.

Alibia e Xhuvanit se ishte në psikiatri

Por në atë kohë nga avokati mbrojtës i Xhuvanit, është paraqitur një memorie sipas së cilës i dyshuari nuk ishte autor i kësaj ngjarjeje dhe se ai ditën e ngjarjes kishte qenë në Spitalin Psikiatrik në Elbasan. Dhe për nevoja të verifikimit të kësaj alibie, nga policia gjyqësore u këqyr dhe u mor një kopje e librit të konsultave në këtë spital, nga ku rezultoi se në një nga fletët e këtij libri ishte shënuar emri i Kostandin Xhuvanit, në datën 25 prill 2014, ora 17:00. I pyetur si person ndaj të cilit zhvilloheshin hetime Kostandin Xhuvani, deklaroi se ditën e ngjarjes ai ka qenë në qytetin e Elbasanit dhe më pas ai ka shkuar në spital, pas konsumimit të një sasie alkooli. Ai mohoi të kishte qenë në qytetin e Gjirokastrës dhe për më tepër të ishte autori i veprave për të cilat hetohej.

Elvis MYRTA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here