Presidenti Ilir Meta duket se nuk do e ketë të lehtë betejën që ka nisur me mazhorancën dhe ndërkombëtarët. Edhe pse situata politike është qetësuar ditët e fundit, tensionet vijojnë të jenë të pranishme. Të martën mazhoranca shtyu afatet e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit dhe me 4 muaj. Opozita ka hedhur akuza për pazare, ndërkohë që sipas burimeve, PS është e vendosur për ta shkarkuar presidentin, pasi ai mund të jetë një pengesë serioze për qeverinë dhe Kuvendin. Por shtyrja e hetimeve deri në prill duket se do i shtojë telashet për presidentin. Gazeta e tha pak ditë më parë se kjo ishte një strategji e mazhorancës, në mënyrë që të mos ketë asnjë pengesë, pasi shkarkimi i Metës do bëhet nga Kushtetuesja. Momentalisht kjo gjykatë ka 3 anëtarë me kohë të plotë, pasi debati për Xhaferllarin dhe Vorpsin vijon ende. Por në proces është dhe zgjedhja e 3 anëtarëve të tjerë, dy nga Presidenca dhe 1 nga Kuvendi. Ndërkohë pritet që dhe 3 emrat e Gjykatës së Lartë të mbyllen shumë shpejt. Burime nga KED bënë me dije se plani është që brenda marsit Kushtetuesja të nisë të jetë funksionale. Pra sapo të shkarkohet Meta në Parlament, dosja merret në shqyrtim nga Kushtetuesja. Elementi tjetër është se presidenti do të shkarkohet në një kohë kur SPAK do të jetë tërësisht funksional. Më 19 dhjetor 8 emra marrin zyrtarisht detyrën, ndërsa brenda 3 muajsh pritet që të marrë jetë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Pra në mars BKH do të jetë gati dhe pritet që të nisë një fazë e re hetimesh në nivele të larta. Deri më sot shumë persona ja kanë hedhur paq për aferat, por plani është që të mos ketë më tolerime. Në janar pritet që të gjitha dosjet në hetim të nisin të kalojnë te SPAK. Por mes këtyre dosjeve ka dhe një në ngarkim të presidentit Meta. Bëhet fjalë për një padi mbi aferën CEZ-DIA.
Hetimi i pasurive
Viti 2020 pritet të sjellë një epokë të re sa i takon luftës ndaj korrupsionit. Përveç SPAK dhe BKH, në këtë vit pritet që të futen në skaner pasuritë e pushtetarëve. ILDKP pritet të vërë në zbatim sistemin dixhital të deklarimit të pasurive nga ana e zyrtarëve dhe kjo i jep mundësi prokurorisë që ta ketë më të lehtë të hetojë këdo që ka probleme me pasurinë. Gazeta ka siguruar të dhënat e zbatimit të strategjisë për reformën në drejtësi të qeverisë për 6 muajt e parë të këtij viti dhe aty jepen detaje nga sistemi që po instalon ILDKP. “Për 6-mujorin e parë, kompania zbatuese e projektit ikub-INFO, e cila është përgjegjëse për pjesën e software të sistemit, ka përfunduar procesin e instalimit të bazës së të dhënave dhe aplikimit. Të dyja këto veprime operacionale, janë shoqëruar me asistencë teknike dhe trajnime për stafin teknik dhe përdorues të tjerë të sistemit, pjesë e stafit të ILDKPKI-së. Stafet përkatëse të ikub-INFO dhe ILDKPKI-së janë duke kryer testet e integruara të sistemit duke analizuar çdo proces dhe secilin modul të sistemit online të deklarimit të interesave private. Përdorimi i plotë i sistemit online për deklarimin e pasurive do të përfaqësojë një hap vendimtar përpara për përforcimin e regjimit të zbulimit, të transparencës dhe kontrollit efektiv të pasurisë të zyrtarëve publikë, po ashtu edhe rastet e konfliktit të interesit”, thuhet aty. Ndërkohë në media kanë dalë fakte mbi pasurinë e kreut të shtetit dhe duket se ai nuk do ketë imunitet përballë organeve të reja.
Kliti Topalli