Vetingu, prokurori Zeka probleme me pasurinë, Arben Vrioni betejë të fortë me KPK-në për të shmangur shkarkimin

0
481

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi dje seancën dëgjimore për prokurorin e Apelit Vlorë, Kleanth Zeka. Hetimi për subjektin e rivlerësimit është mbyllur për të tre kriteret e rivlerësimit. Lidhur me kriterin e pasurisë, ILDKP dorëzoi një raport pozitiv, ndërsa Komisioni nga ana tjetër, konstatoi mosdeklarim të burimit të krijimit për pasurinë apartament të blerë në Vlorë për 37 mijë euro. Për këtë konstatim, pasi iu kalua barra e provës, subjekti tha pranë KPK-së se ka harruar ta deklarojë sepse burimet ishin pagat dhe të ardhurat e përfituara nga qiraja. Ndërsa dje, prokurori tha se kishte ditur t’i plotësonte mirë formularët e deklarimit të pasurisë, ndërsa shtoi se askush nuk mund ta dijë gjithë legjislacionin. Trajtim preferencial ishte një tjetër dyshim që u ngrit kundrejt prokurorit të Apelit të Vlorës. Komisioni konkludoi se një apartament ishte blerë rreth 7000 euro më lirë nga vlera e tregut. Pasi iu kalua barra e provës, subjekti ka shpjeguar se njihej me shitësit e apartamentit pasi kishin origjinë të përbashkët. E ndërsa u tha gjatë seancës se nuk është konstatuar që prokurori Zeka të ketë pasur çështje ku palë kanë qenë shitësit e apartamentit. Probleme janë konstatuar në analizën financiare. Sipas Komisionit, ka mungesë të burimeve të ligjshme në vlerën 162 mijë lekë për kryerjen e shpenzimeve deri në vitin 2015. KPK-ja tha dje se janë identifikuar mungesë të burimeve të ligjshme edhe në blerjen e një njësie shërbimi me sipërfaqe 14 m2 në vitin 2011 në Vlorë në vlerën 700 mijë lekë, burim krijim për të cilën është deklaruar kursimi nga pagat. Relatorja e çështjes tha më tej se nga analiza financiare, prokurori nuk ka pasur mundësi financiare në vlerën e 485 mijë lekëve për blerjen e njësisë së shërbimit. Lidhur me kriterin e figurës dhe profesionalizmit, KPK tha se prokurori është vlerësuar pozitivisht. Në përfundim të seancës së djeshme, Zeka kërkoi konfirmimin në detyrë, vendim i cili do të merret të premten e 22 nëntorit.

Gjyqtari i Durrësit para KPK-së
Ndërsa seanca dëgjimore e zhvilluar dje pranë KPK-së për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Durrësit, Arben Vrioni, u shty. Lufta mes Komisionit dhe subjektit të rivlerësimit nisi që nga momenti kur relatorja e çështjes tha se hetimi ka përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë. Që në nisje, gjyqtari kërkoi që KPK-ja të rihapë hetimin për të dy kriteret e tjera, ndërsa iu drejtua trupës gjykuese se nuk ishte njohur me rezultatet e një hetimi të dytë mbi pasurinë dhe kërkoi të njihej me to. Këto kërkesa u rrëzuan nga KPK-ja. Në tentativën e dytë për të nisur leximin e materialeve, Vrioni parashtroi dy kërkesa të tjera, duke e ndaluar vijimin e seancës. Gjyqtari tha se duke qenë se ishte me urdhër mbrojtje për shkak të kërcënimit që i është bërë në cilësinë e anëtarit të trupës së Gjykatës së Krimeve të Rënda të Apelit që po shqyrton çështjen ndaj Emiljano Shullazit dhe të tjerëve, nuk ka pasur mundësi objektive për t’u njohur me materialet shtesë. Duke mos u mjaftuar me këtë, Vrioni kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese për njëanshmëri. Kjo kërkesë iu rrëzua. Pas kësaj, gjyqtari nuk ndaloi, ndërsa i tha trupës se kërkonte kohë që të marrë një avokat, ndonëse kishte pranuar fillimin e procedurave pa një të tillë. Ndërkohë, Komisioni vendosi që sot në orën 12:30, të zhvillojë seancën dëgjimore për subjektin. 

Ornela Çelpica

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here