Hyn në fuqi vendimi i qeverisë për të ndryshuar masën e përfitimit për pension suplementar nga ushtarakët, policët, punonjësit e burgjeve, zjarrfikësit dhe disa kategori të tjera. Gazeta e bëri të ditur pak ditë më parë se qeveria ka vendosur të ndryshojë vendimin “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”. Tashmë ky vendim është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe ka nisur menjëherë zbatimi. Sipas informacioneve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe ministritë përkatëse kanë nisur procedurat për zbatimin e këtij vendimi. Por çfarë do sjellë ky ndryshim? Sipas vendimit, pensionet suplementare, të caktuara sipas dispozitave të ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr. 8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr. 8661, datë 18.9.2000, “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, të rillogaritura sipas përcaktimeve në pikën 2, të nenit 29, të ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, të sipërshënuar, do të indeksohen dhe masa e pensionit suplementar të vihet në kufirin deri në 50% të masës së pensionit të caktuar sipas dispozitave të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”. Efekti financiar vjetor nga zbatimi i këtij vendimi llogaritet në shumën 26 milionë lekë. Për vitin 2019, efekti financiar llogaritet në shumën 13 milionë lekë dhe do të përballohet nga fondet e parashikuara në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të këtij viti.
Eliminimi i dokumenteve
Përveç rritjes së masës së pensionit suplementar, qeveria ka ulur numrin e dokumenteve që duhet të paraqesin ushtarakët, policët, zjarrfikësit apo punonjësit e SHISH pranë Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore për të përfituar pension suplementar. Të gjithë personave që u lind e drejta nga ligji duhet të paraqiten pranë zyrave të ISSH, e cila do i pajisë me dy kopje kërkese format dhe me listën e dokumenteve të nevojshme. Sipas vendimit të vjetër, të gjithë personat e sipërpërmendur duhet të dorëzonin 5 dokumente, por qeveria ka vendosur të heqë njërin prej tyre. Nga tani e tutje nuk ka nevojë për të paraqitur në ISSH vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive nëse ka përfituar ose jo tokë, sipas ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën” të ndryshuar, dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore. Ndërkohë të vetmet dokumente që duhen dorëzua janë: Fotokopje të letërnjoftimit; certifikatë familjare; deklaratë individuale për gjendjen e punësimit; vërtetim nga zyrat e tatim-taksave nëse ushtron veprimtari ekonomike si punëdhënës ose i vetëpunësuar. Tjetër ndryshim është bërë edhe në pikën F të vendimit NR. 793, datë 24.9.2010, të Këshillit të Ministrave, sipas ndryshimeve të propozuara nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, për personat që punësohen dhe vetëpunësohen, bazuar në deklaratën e personit dhe vërtetimin e lëshuar nga organet përkatëse, masa e pensionit të parakohshëm vihet në nivelin e pensionit bazë të pleqërisë, të caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, që është apo ka qenë në fuqi për atë periudhë, me përjashtim të personave, të cilët kanë përfituar tokë sipas ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar, dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore dhe ushtrojnë aktivitet si persona të vetëpunësuar në bujqësi.