Rezoluta për ndërhyrje të huaj drejtuar Kuvendit, reagon ashpër Ambasada e Rusisë në Tiranë

0
359

Ambasada e Rusisë ka reaguar pas rezolutës për ndërhyrje të huaj që është hartuar në parlamentin shqiptar, ndërkohë që pretendimet e politikës shqiptare se në vend ka rrezik që të ketë ndërhyrje nga Rusia, i ka quajtur të pavërteta. Madje ka sfiduar autoritetet shqiptare që të sjellin prova për këtë.

Institucioni ka shprehur shqetësimin për rritjen e histerisë antiruse. Reagimi vjen pas konferencës me temë “Politika e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor” të mbajtur në Tiranë dy ditë më parë. Në një komunikatë për shtyp, ambasada ruse shkruan se janë në dijeni për fjalimet e mbajtura nga folësit e konferencës ‘Politika e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor’, si edhe me planet e parlamentarëve shqiptarë për miratimin e rezolutës për “ndërhyrje të huaj”.

“Sa herë që jemi akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të Tiranës, ne kemi pritur me padurim të paktën edhe një provë për këtë. Por, miqtë tanë shqiptarë nuk kanë mundur të paraqesin as edhe një provë. Është fatkeqësi që autoritet shqiptare trillojnë histori mitike për të justifikuar ‘përleshjet’ ekzistuese në politikën e brendshme, nga të cilat ne qëndrojmë larg. Është për të ardhur keq që e gjitha kjo po ndodh dukshëm nën një marrëveshje të heshtur të Ambasadës së SHBA-ve (ah po, kjo nuk quhet ndërhyrje në punët e brendshme).”

Ambasada ruse u ndal edhe te deklarata e deputetit të PS-së, Ervin Bushati, i cili foli për një virus rus, që mund të infektojë të gjithë kompjuterët e Ballkanit.

“ Akoma më keq, pasi kemi dëgjuar argumentet e autorit të rezolutës, Ervin Bushati për një farë virusi, me anë të të cilit rusët mund të ‘infektojnë’ gjithë kompjuterët në rajonin e Ballkanit, u bindëm për analfabetizmin kompjuterik të krijuesve të kësaj ‘vepre’.”, sqaron institucioni.

Në fund, ambasada ruse jep edhe një këshillë. “Me këmbëngulje u rekomandojmë të lexojnë librin “Siguria Ndërkombëtare e Informacionit” të sapo botuar në Rusi të një prej specialistëve më të mëdhenj të MPJ-së ruse në këtë fushë.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here