Rregullorja e re, ja si u shkurtuan procedurat për shkarkimin e Metës, Kuvendi merr vendim brenda 20 ditësh nga dorëzimi i raportit

0
313
Processed with VSCO with au5 preset

Mazhoranca duket se i ka paraprirë shkarkimit të Presidentit Ilir Meta nga detyra. Në korrik të këtij viti u miratua Rregullorja e re e Kuvendit të Shqipërisë, ku një pjesë i kushtohet dhe shkarkimit të kreut të shtetit. Përveç shumë ndryshimeve në rregullore, bie në sy fakti se janë thjeshtuar procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës nga detyra. Sipas rregullores, pasi komisioni hetimor i dërgon raportin Kuvendit, ky i fundit vendos ta shqyrtojë atë brenda 20 ditëve, nga koha që i ka shkuar ai. Më pas, sipas asaj që thuhet në rregullore, topi kalon në duart e Konferencës së Kryetarëve, e cila në mbledhje vendos datën se kur do të votohet shkarkimi i kreut të shtetit. Ndërkohë, pasi është votuar shkarkimi me 94 votat që parashikon Kushtetuta, raporti në fjalë brenda 5 ditëve nga votimi i tij, i shkon Gjykatës Kushtetuese për interpretim, e cila ka tagrin e fund për të vendosur se çfarë do të ndodhë me fatin e Presidentit të Republikës. “Kuvendi shqyrton raportin e komisionit hetimor në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij; Konferenca e Kryetarëve përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim të anëtarit të organit kushtetues, si dhe kohën e debatit, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje; Në rast se anëtari i organit kushtetues, për të cilin është paraqitur kërkesa për shkarkim, kërkon të dëgjohet në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë; Kuvendi vendos për shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues me shumicën e parashikuar rast pas rasti në Kushtetutë; Për ato raste që parashikohen në Kushtetutë, vendimi i Kuvendit për shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues i dërgohet brenda 5 ditëve Gjykatës Kushtetuese” thuhet në Rregulloren e re të Kuvendit. Pra, duket qartë që mazhoranca është e vendosur për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, gjë që tregohet qartë edhe me ndryshimet e reja që janë reflektuar në Rregulloren e re të Kuvendit. Thënë më troç, nëse në Rregulloren e vjetër të Kuvendit duhej më shumë kohë për të shkuar tek shkarkimi i kreut të shtetit, me ndryshimet që u votuan në korrik të këtij viti janë shkurtuar procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës, që në rastin konkret është Ilir Meta.

Shkurtohen procedurat e rrëzimit të dekreteve

Por përveç shkurtimit të proceduarave për shkarkimin e kreut të shtetit nga detyra, me miratimin e Rregullores së re të Kuvendit janë shkurtuar edhe procedurat e rrëzimit të dekreteve, të cilët Presidentit ia kthen Kuvendit për rishqyrtim.Kështu, në rregulloren e vjetër më konkretisht në nenin 86 thuhet se komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin e kthyer nga presidenti brenda 8 javëve. Ndërkohë që, me ndryshimet që iu bënë rregullores, janë shkurtuar procedurat e rrëzimit të dekreteve. Nëse në rregulloren e vjetër Kuvendit i duhej 8 javë kohë për të rrëzuar dekretin e presidentit, në rregulloren e re, më konkretisht në nenin 54 thuhet se nevojiten vetëm 4 javë kohë. Pra, procedurat për rrëzimin e dekreteve janë shkurtuar në gjysmë për gjysmë, sa i takon kohës që nevojitej ligjvënësve, ku neni 54 ndryshon nenin 86. Po ashtu, në rregullore thuhet se menjëherë sapo kreu i Kuvendit vihet në dijeni të kthimit të ligjit nga ana e Presidentit, ai ia kalon menjëherë dekretin komisioneve parlamentare.“ Komisioni përgjegjës përgatit raportin për seancën plenare me propozimin për pranimin ose rrëzimin të dekretit të Presidentit brenda 4 javëve nga data e depozitimit të tij në Kuvend”, thuhet në rregullore.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here