Zbardhen përplasjet e Shqipërisë me Gjermaninë e Britaninë më 1979, Hoxha kërkonte dëmshpërblim për dëmet e luftës dhe kthimin e arit

0
403

Pasi prishi marrëdhëniet me Kinën, Hoxha humbi të gjitha ndihmat ekonomike. Për këtë arsye ai nis të kthejë sytë diku tjetër. “New York Times” tregon se si ai kërkoi nga Gjermania që të jepte 4.5 milionë dollarë dëmshpërblim për krimet e luftës, ndërsa nga Britania kërkonte që të ktheheshin rezervat e arit.

E ardhmja e Shqipërisë

27 dhjetor 1979

Shqipëria vendi më i izoluar i Evropës Lindore dhe nuk ka asnjë vend mik që prej ndarjes më Kinën në 1978, kur dhe ndaloi fluksi i ndihmës ekonomike e ushtarake që ishte dhënë gjatë 17 viteve. Shqipëria u përball me vështirësi të rënda ekonomike dhe tani po përpiqet të rrisë volumin tregtar duke kërkuar kudo lidhje për tregjet e eksporteve. Regjimi shqiptar ka sinjalizuar së fundmi se është i gatshëm të ketë marrëdhënie normale të paktën me dy vende evropiane, Britaninë dhe Gjermaninë Perëndimore nëse plotësohen disa kushte të caktuara. Lëvizja duket se nxitet thjesht nga nevoja ekonomike dhe jo nga dëshira për të reduktuar izolimin e gjatë të vendit. Shqipëria i ka kërkuar Gjermanisë Perëndimore të paguajë $4.5 milionë si dëmshpërblim për dëmet e Luftës së Dytë Botërore, por Boni e ka refuzuar pretendimin duke thënë se çështjet janë mbyllur me traktatin e paqes. Shqipëria kërkon gjithashtu nga Britania kthimin e rreth $16 milion në flori që iu sekuestruan gjermanëve në fund të Luftës II Botërore. Qeveria britanike e ka mbajtur peng floririn prej kohësh në varësi të pranimit nga Shqipëria për të paguar dëmshpërblimin e dy luftanijeve të fundosura në kanalin e Korfuzit në 1946, siç është vendosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Qeveria shqiptare ka thënë se nuk është përgjegjëse për tragjedinë dhe refuzon të paguajë. Edhe pse sinjalet për Londrën e Bonin deri tani nuk kanë marrë përgjigje, ato janë një shenjë për nevojën urgjente të Shqipërisë për të ardhura dhe blerje makinerish. Së shpejti Shqipëria përballet dhe me një problem serioz politik, pasimin e mundshëm të pushtetit. Që prej vitit 1944, vendi është udhëhequr nga treshja e stalinistëve Enver Hoxha, Mehmet Shehu, e Hysni Kapo. Hoxha e Shehu janë respektivisht 71 e 66 vjeç; kurse Kapo vdiq shtatorin e kaluar nga kanceri në moshën 64-vjeçare. Ndërkohë një numër i madh ministrash, zyrtarë të partisë dhe oficerë të ushtrisë janë burgosur dhe ekzekutuar prej të ashtuquajturave sabotime apo kundërshtime të politikave të regjimit. Ata janë zëvendësuar nga të rinj që kanë dhënë prova për aftësi politike ose besnikëri të verbër ndaj ideologjisë së ndryshkur të Hoxhës gjatë revolucionit kulturor të frymëzuar nga Kina. Kur Hoxha të ikë, me shumë gjasa do të pasohet nga Shehu. Mes të dyve nuk ka shumë dallime sa i përket dogmave staliniste apo nacionalizmit ekstrem. Por regjimi i ardhshëm ndoshta do të vendoset nga ato që do të ndodhin në kufijtë e Shqipërisë. Nëse vdes President Tito, udhëheqja e re jugosllave do të braktisë politikat e vjetra të paanësisë dhe do të anojë nga Moska, dhe kjo rrit shanset e vendosjes së një regjimi pro-sovjetik edhe në Tiranë. Por nëse Jugosllavia arrin të ruajë pozitën e saj aktuale mes Lindjes e Perëndimit, Moska do të përpiqet të rifitojë kontrollin në rajon me anë të Shqipërisë. Nëse sovjetikët kanë sukses ata do të rihapnin bazën ushtarake në portin e Vlorës të cilën e braktisën 20 vjet më parë. Kështu ata do ta kthenin Shqipërinë në një bazë me të cilët të ushtrojnë presion ndaj vendeve rezistuese. Por gjatë kohës që mbetet në pushtet Hoxha do të përpiqet me të gjitha forcat të sigurojë që pasuesit e tij të kuptojnë politikat që duhet të ndjekin dhe rreziqet që duhet të evitojnë. Ai ka publikuar kohët e fundit një seri me leksione propagande ku shënjestron kryesisht politikat e reja të Kinës, sistemin e vetë-menaxhimit të Jugosllavisë dhe revizionizmin sovjetik. Mes rrëfimeve të tij të shumta është dhe volumi i pazakontë “Reflektime për Kinën” ku dënohet revolucioni komunist kinez dhe filozofia politike e Maos, edhe pse ai kishte qenë adhurues i tij në kohën e aleancës. Kjo tregon se argumentet hipokrite të Hoxhës ndaj Maos janë thjesht fshehja e frikave të tij për pushtetin personal, nëse do të kishte ndjekur këshillën e Zhou Enlai për afrim me Jugosllavinë dhe vendet perëndimore. Frika nga kontaktet me jashtë mund të rezultojë eksplozive brenda Shqipërisë.

27 korrik 1980

Ngrohet Adriatiku

Mbi një kodër të veshur me dru pak larg kufirit shqiptaro-jugosllav është manastiri ortodoks i shekullit të 14-të i Shën Naumit i cili pret turistët me qetësinë e tij, por shqetësohet herë pas here nga zjarri i armëve shqiptare. Të shtënat janë ushtarët shqiptarë që stërviten në bazën pranë kufirit dhe janë një kujtesë e vazhdueshme e marrëdhënieve armiqësore mes vendit komunist më liberal dhe atij më primitiv e të izoluar. Shqipëria njihet se nuk merr e jep shumë me pjesën tjetër të botës dhe prej më shumë se 20 vjetësh ka ruajtur një distancë të akullt nga ato që quan revizionistë jugosllavë e sovjetikë. Por për herë të parë prej Luftës II Botërore, kur partizanët shqiptarë dhe ata jugosllavë kishin luftuar së bashku kundër fashistëve, Shqipëria po tenton të hapet ndaj Jugosllavisë, për nxitjen e ekonomisë dhe ruajtjen e pavarësisë. Një shenjë përmirësimi në marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve ballkanike erdhi tetorin e shkuar kur ministri jugosllav i Tregtisë erdhi për bisedime në Tiranë dhe u takua me kreun 71-vjeçar shqiptar, Enver Hoxha. Ministri ishte anëtari i parë i qeverisë jugosllave që vizitonte Shqipërinë që prej kohës së luftës. Bisedimet mes tyre sollën marrëveshjen e parë ku vendet zotoheshin të rrisnin tregtinë dhe komunikimet ndërsa në verë shqiptarët do të kthenin vizitën me një delegacion në Beograd. Një shpjegim për rritjen e interesit shqiptar për biznes me Jugosllavinë është se Tirana nuk ka mundur të rrisë ekonominë e saj që prej ndërprerjes së tregtisë me Kinën në 1975 dhe prishjes së lidhjeve me Bashkimin Sovjetik në 1962. Vendi ka qenë gjithmonë i varfër prej zonave të shumta malore dhe raportohet mungesa të shpeshta ushqimesh bazë.

Përveç arsyeve ekonomike hapjet e Shqipërisë ndaj Jugosllavisë mund të jenë dhe politike rusofobe. Më 19 janar pak pas vendosjes së BRSS në Afganistan dhe kur pritej nga dita në ditë vdekja e Titos, gazetat shqiptare paralajmëronin se nëse sovjetikët sulmojnë Jugosllavinë, shqiptarët do të bënin atë që kishin bërë dhe në kohën e luftës, duke luftuar përkrah tyre kundër armikut të përbashkët. Një zyrtar i ambasadës shqiptare në Beograd shpjegonte kohët e fundit: “Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë popullin e Jugosllavisë edhe pse kemi diferenca politike me ta”. Sipas një analisti të Beogradit, dobësia e pavarësisë së Jugosllavisë në epokën post-Tito kishte bërë që shqiptarët të tejkalojnë diferencat ideologjike me ta. “Shqiptarët janë të tmerruar nga fakti që Rusia mund të sulmojë Jugosllavinë dhe me atë rrugë të gëlltisë dhe Shqipërinë e vogël”, tha ai. Ndërkohë një grup aktiv nacionalist në rajonin jugosllav të Kosovës, ku jetojnë rreth 2 milionë shqiptarë, kërkon që krahina të ndahet nga Jugosllavia për të formuar Shqipërinë e Madhe. Shqipëria e ka kritikuar shpesh Jugosllavinë në shtypin e saj ndërsa ambasada shqiptare në Beograd u jep vizitorëve të saj një broshurë ku dënohet sistemi i ndërmarrjeve private vetë-menaxhuese të Jugosllavisë, që sipas tyre është në fakt një teori kapitaliste.

Me nënshkrimin e marrëveshjes tetorin e shkuar, Shqipëria bëhet partneri më i madh tregtar i Jugosllavisë, dhe qeveria e Beogradit parashikon se importet e materialeve të para nga Shqipëria dhe shitje atje e mallrave jugosllave të konsumit, do të rriten në 80 milionë dollarë këtë vit nga 50 milionë që shënohej në 1978. Për të lehtësuar këtë rritje tregtare, Shqipëria po thyen izolimin e saj historik. Që prej tetorit kanë nisur fluturimet mes Tiranës e Beogradit, ndërsa kompania shqiptare e transportit detar ka hapur një zyrë në Beograd. Puna ka nisur për ndërtimin e hekurudhës për Titogradin, Prishtinën dhe Tiranën, që do të jetë lidhja e parë hekurudhore shqiptare me një vend të huaj. Por megjithatë Shqipëria po i kufizon hapjet e saj me shumë kujdes. Një skuadër futbolli e Beogradit është ftuar të vizitojë Tiranën ndërsa shqiptarët etnikë të Kosovës e kanë të vështirë të shkojnë në Shqipëri. Megjithëse gazeta shqiptare publikoi një artikull neutral për vdekjen e Titos në maj, Shqipëria ishte vendi i vetëm në botë që nuk dërgoi asnjë në funeralin e tij. Mes jugosllavëve të zakonshëm Shqipëria ka ende reputacion ksenofobik. Një i ri maqedonas që punonte në manastirin e Shën Naumit tregonte një shaka: “Këtu në Jugosllavi ne ndërtojmë hotele, kurse në Shqipëri ndërtohen bunkere”.

10 prill 1981

Jugosllavia surprizohet nga kryengritja shqiptare

Udhëheqësit e Jugosllavisë duket se u zunë të papërgatitur nga masa dhe intensiteti i trazirave të javës së shkuar nga shqiptarët etnikë ku u vranë 11 njerëz dhe 57 të tjerë u plagosën. Sa më sipër u pranua nga një zyrtar i Partisë Komuniste që dha detajet e para të incidenteve, të cilat detyruan Beogradin të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Anëtari i presidiumit Stane Dolanc, bëri me faj për incidentet shqiptarët nacionalistë me lidhje me jashtë, të cilët sipas tij shin pro-fashistë ose pro-sovjetikë. Ai tha se grupet e emigracionit të përfshira ishin në Stutgart të Gjermanisë Perëndimore, në Bruksel, në SHBA e vende të tjera. Ajo që nisi si një incident i vogël në Universitetin e Prishtinës, ku një student u ankua se ushqimi i kuzhinës nuk ishte i mirë, nisi të merrte tone ”nacionaliste, irredentiste e kundërrevolucionare,” tha Dolanc, për 200 gazetarë jugosllavë e të huaj në konferencën e shtypit të tre orëve. Edhe pse disa nga sloganet e demonstruesve kërkonin bashkimin me Shqipërinë, Dolanc nuk akuzoi Tiranën për përfshirje në trazira. Por në fakt ai përmendi udhëheqësin komunist Enver Hoxha si të shqetësuar për pavarësinë dhe integritetin territorial të Jugosllavisë, si dhe shtoi që shpresonte që Shqipëria të ruante këtë qëndrim. ‘Ne dhe të gjithë komunistët u surprizuam nga dhuna e intensiteti i kryengritjes. Por ajo ishte e planifikuar dhe e organizuar”, tha Dolanc duke shtuar se 2,000 njerëz morën pjesë në demonstratat në Prishtinë të cilat u përhapën në gjashtë komuna në rrethinat e saj. Por ai shtoi se aktivitet nuk ishin më shumë se 200. Për herë të parë u pranua publikisht se 11 njerëz u vranë në demonstrata, duke përfshirë dhe dy policë, dhe 57 njerëz u plagosën. Dolanc theksoi se demonstruesit kishin hapur zjarr dhe kishin vrarë dy anëtarë të forcave të rendit. Pesë njerëz ishin gjetur të vdekur në rrugë. Dolanc tha se forcat e rendit kishin urdhër të përdornin vetëm shkopat e gomës dhe gazin lotsjellës, por u detyruan të hapnin zjarr në dy raste për vetëmbrojtje, ku dhe u vranë dy demonstrues.

Raportohen përmirësime

Zyrtari i partisë jugosllave tha se 22 njerëz mbeteshin të arrestuar nga një numër i madh të ndaluarish që më pas u liruan. Dolanc tha se megjithëse gjendja e emergjencës mbetej në fuqi, situata tashmë ishte përmirësuar. Ai shtoi se Aleanca Socialiste, Lidhja e Komunistëve e kolektivat punëtore kishin mbajtur 135 takime ku dënuan demonstratat dhe mbështetën qëndrimin e autoriteteve. Sipas tij shumica e shqiptarëve të Kosovës gjithashtu dënuan demonstratat. Rreth 85 për qind e 1.5 milionëve të provincës janë shqiptarë etnikë. Përforcime nga ushtria e policia janë dërguar atje, teksa theksohet se ushtria është përdorur vetëm për mbrojtjen e instilacioneve të rëndësishme dhe nuk ka marrë pjesë në përleshjet. Dolanc tha se shpresonte se gazetarët që janë ndaluar nga zona, të lejohen atje “shumë shpejt”.

Nuk përjashtohet përdorimi i forcës

Ne jemi të vendosur të normalizojmë situatën me veprim politik por në rast se është e nevojshme nuk do të hezitojmë të përdorim masa të tjera, siç do të bënte kushdo tjetër,” tha Dolanc. Duke parashtruar planet e tij, zyrtari tha se shqiptarët etnikë duhet të bashkohen në organizatat kombëtare politike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës duhet të përshkallëzohet. Për këtë, sipas tij qeveria ka ndarë $4.66 milionë dollarë në planin e ardhshëm pesë-vjeçar. Dolanc pranoi se shumica e sloganeve të demonstratave kërkonin status të plotë për Republikën shqiptare të Kosovës, por do t’i jepte asaj të drejtën për t’u ndarë. “Ne besojmë se ky nacionalizëm është kundërrevolucionar dhe i pamundur sipas Kushtetutës, pasi do të sillte shpërbërjen e Jugosllavisë”, tha Dolanc, duke bërë të qartë se nëse kjo lëvizje separatiste do të rezultonte e suksesshme do të përhapej dhe në rajonet e tjera autonome dhe gjashtë republikat federale të Jugosllavisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here