Reprezalje në kompanitë e sigurimit, pezullim licence për pronarët e lidhur me krimin dhe të regjistruar në parajsat fiskale

0
375

Pas shumë ultimatumesh, kërkesash dhe thirrjesh nga Parlamenti dhe institucione të tjera, më në fund Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur të marrë masa ndaj kompanive të sigurimit. Falë një projekti të Drejtësisë së Pastrimit të Parave, AMF ka vendosur të fusë në skaner kompanitë e sigurimit, pasi ka dyshime se janë të përfshira në pastrime parash. Dje AMF ka ndryshuar procedurat dhe mënyrën e depozitimit të informacionit dhe dokumentacionit në lidhje me burimin e kapitalit për aksionarët e shoqërisë së sigurimit, e përqendruar në të paktën tre pika. Së pari tek dokumentacioni që duhet të paraqesë aksionari themelues dhe ai juridik, së dyti tek kriteret për të qenë aksionar influencues dhe së treti për rastet kur dyshohet për pastrim parash apo kur burimi i kapitalit dyshohet se vjen nga llogari në parajsa fiskale. “Në rast se Autoriteti konstaton, apo ka dyshime të arsyeshme se aksionari themelues, aksionari influencues dhe/apo burimi i parave të tij lidhet me persona të dënuar për kryerjen e veprave penale, që kanë lidhje familjare apo marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi me aksionarët e propozuar, njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe pezullon procedurën e licencimit apo miratimit deri në një përgjigje nga kjo e fundit”, thuhet në njoftimin e AMF. Masa janë marrë dhe ndaj kompanive që janë të regjistruara në parajsat fiskle. Edhe për to do ketë pezullim licence. “Në rast se Autoriteti konstaton, apo ka dyshime të arsyeshme se struktura e kapitalit të shoqërisë së sigurimit apo burimi i tij lidhet me kompani të regjistruara në parajsa fiskale, njofton dhe kërkon informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe pezullon procedurën e licencimit apo miratimit deri në një përgjigje nga kjo e fundit” thuhet në nenin e ri të rregullores. Nga ana tjetër lidhur me dokumentacionin për aksionarët nënvizohet se ata duhet të vërtetojnë se nuk janë në ndjekje penale, nuk kanë qenë të dënuar penalisht, ekzekutimi të detyrueshëm për detyrime pasurore të pashlyera.

Ecuria e sigurimeve

Pak kohë më parë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dha detaje mbi ecurinë tregut të sigurimeve. Të dhënat më të fundit vënë në dukje se, gjatë 4 muajve të parë, tregu i sigurimeve ka regjistruar një rritje të përgjithshme prej 7.6%. Volumi i primeve të shkruara bruto tashmë prek shifrën e 6.7 miliardë lekëve. Numri i kontratave ndërkohë, në të gjitha produktet që ofron sektori ka pësuar një rritje me 5.2% gjatë kësaj periudhe kohore, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesën dërrmues e zënë pa diskutim produktet e jo-jetës, me 6.2 miliardë lekë, dhe me një numër kontratash në rritje me 7.3% krahasuar me vitin e kaluar.

Po ashtu, është rritur ndjeshëm edhe fatura e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimit gjatë këtij segmenti kohor, me rreth 3.7%. kjo faturë për periudhën janar-maj të këtij viti fiksohet në rreth 2.3 miliardë lekë. Ajo që bie tjetër në sy nga të dhënat është rritja e kontratave për kartonin jeshil çka sinjalizon fluks më të lartë dalës të shqiptarëve me makinë jashtë kufijve. Në sy bie edhe rënia e ndjeshme e numrit të primeve të shkruara bruto për sigurimin e pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës. Kjo rënie fiksohet në masën 28%. Sigurimi i jetës ndërkohë ka pësuar një rritje të madhe, në masën 13%, thonë të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here