Ansi Agolli “pushton” Amerikën, Kukësi godet me dy lojtarë kuqezinj

0
383

Ai është një nga lojtarët më të dashur për sportdashësit e Kombëtares kuqezi. Ka një karrierë brilante, si në rang klubesh dhe me përfaqësuesen kuqezi, duke qenë një prej lojtarëve me më shumë takime të luajtura për fanellën e Kombëtares. Është Ansi Agolli, i cili ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit para se të vendoste të mos ishte më pjesë e kuqezinjve, një vendim që erdhi pas qëndrimit mohues të Panuçit, që linte të kuptuar se Agolli është “plak”, një vendim që nuk u miratua nga fansat pasi tiranasi po shkëlqente me Karabagun në kompeticionet e UEFA-s. Madje Agolli vijon të jetë aktiv në fushën e gjelbër, këtë herë duke kaluar edhe Oqeanin, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u bë pjesë e një skuadre të njohur, Nju Jork Kozmos, ekip që u bë i njohur afroi 50 vjet më parë kur mori në gjirin e saj legjendën dhe një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, më të madhin e vlerësuar nga FIFA, brazilianin Pele. Në fakt, Ansi Agolli po kalon një moment mjaft të mirë në Amerikë, aty ku ka arritur të shënojë një tjetër gol me skuadrën e Nju Jork Kozmosit. Pak ditë më parë, Agolli realizoi një supergol fluturimthi, duke e ndalur topin në rrjetë ndërkohë që një tjetër gol nga distanca është shënuar nga ish-kapiteni i Kombëtares. Në ndeshjen që skuadra e tij arriti të fitonte ndaj Baltimore me rezultatin 3-1, Agolli ishte vendimtar duke realizuar golin e dytë për skuadrën e tij, kur rezultati ishte 1-1. Pas një krosimi nga e djathta, topi ka shkuar te Agolli i cili ka goditur nga distanca duke shënuar. Sakaq, ky ishte trofeu i dytë që Agolli fiton në pak ditë, duke qenë se vetëm pak kohë më parë arriti të fitonte Kupën e Konferencës ndërkohë që së fundmi fitoi trofeun e regjionit të verilindjes.

Gavazaj braktis të huajt, zgjedh Kukësin

Ndërsa Agolli po shkëlqen në Amerikë, një tjetër lojtar i Kombëtares bën lëvizje të kundërt. Ai braktis skuadrat e huaja dhe i bashkohet Kukësit në Kategorinë Superiore. Dje pasdite, klubi verilindor konfirmoi se ka bërë një goditje të madhe në merkato, duke transferuar sulmuesin e Kombëtares, Enis Gavazaj. Ky i fundit ka qenë pjesë e Skënderbeut të Korçës në sezonet 2016-2018, ndërsa vitin e kaluar e kaloi në huazim mes rusëve të Yenniseyt në fazën e parë dhe bjellorusëve të Dinamos së Minskut në të dytën. Shifrat e tij në sezonin që lamë pas nuk ishin impresionuese, pasi luajti vetëm 12 takime, duke mos shënuar asnjë gol, por bëhet fjalë për një 24-vjeçar që e njeh mjaft mirë Kategorinë Superiore. Sulmuesi nga Zhuri i Prizrenit është bërë pjesë e Kombëtares Shqiptare në vitin 2018 dhe ka luajtur 3 takime, në kohën kur trajner ishte Kristian Panuçi, ndërsa më pas nuk u ftua më për mungesë aktivizimi. Me ardhjen e Gavazajt, por edhe me Valdet Ramën, Vasil Shkurtajn dhe Eduart Rrocën, sulmi i Kukësit për sezonin e ri duket i kompletuar dhe njëkohësisht “i frikshëm” për mbrojtjet kundërshtare. Ndërkohë, Kukësi do të nisë sezonin e ri me pretendime të mëdha për t’u kthyer të titulli kampion dhe lëvizjet e para pas eliminimit nga Europa tregojnë qartësisht këtë objektiv të verilindorëve. Pas huazimit të Kamara e zyrtarizmit të firmës me Enis Gavazajn, klubi po përgatit edhe një lëvizje të madhe duke nënshkruar me një nga futbollistët më të mirë të viteve të fundit në Superiore. Mësohet se klubi ka arritur një akord me Dejvi Bregu për transferimin në radhët e kësaj skuadre nga Skënderbeu që zotëronte kartonin e tij. Mendohej se futbollisti do të provonte një eksperiencë jashtë Shqipërisë por oferta që i ka mbërritur nga Kukësi ka qenë shumë e mirë dhe mes palëve është arritur një marrëveshje që do të finalizohet në ditët në vijim. Kukësi ka gjetur akordin edhe me Skënderbeun për transferimin e vlonjatit falë marrëdhënieve të mira që kanë presidentët e dy klubeve.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here