Kinematografia shqiptare, në “Crossing Europe” me filmat e viteve ‘70 dhe pas ’90

    0
    611

     Kinematografia shqiptare përfaqësohet në festivalin e filmit “Crossing Europe” në Linz të Austrisë. Regjisorja Iris Elezi njëkohësisht dhe drejtoreshë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ka bërë një përzgjedhje të filmave, që prezantojnë faza të ndryshme të kinematografisë sonë në “Crossing Europe”. Përzgjedhja e filmave për programin “Carte Blanche” është ndarë midis filmave të prodhuar në të kaluarën para viteve ’90, si dhe prodhimeve më të reja. Në festival krahas tre filmave artistikë të viteve ’70 realizuar nga regjisorja e njohur Xhanfise Keko, programi historik përfshin gjithashtu një komedi të dashur të realizuar nga Dhimitër Anagnosti, filmin “Përrallë nga e kaluara”. Sa i takon krijimtarisë së regjisores së njohur Xhanfise Keko do të shfaqen në Austri filmat “Mimoza llastica”, “Tomka dhe shokët e tij” dhe “Kur po xhirohej një film”, që janë prodhime që i takojnë kinematografisë shqiptare para viteve ’90. AQSHF bën me dije se pjesa e programit me filma të prodhuar rishtazi ofron një prezantim ideal në universin e kinemasë shqiptare me dokumentarin ese të kritikut Mark Cousins, “Këtu ka dragonj”. Kjo pjesë e programit plotësohet me dy filma të tjerë, “Bota” nga Iris Elezi, dhe prodhimi më i fundit dhe i suksesshëm që u shfaq në festivale ndërkombëtare, “Nëntor i ftohtë” nga Ismet Sijarina. Por një përmbledhje e programit për regjisore Xhanfise Keko do të jetë dhe në muajin maj në Muzeun e Filmit Austriak në datat 1 dhe 2 Maj, ku gjithashtu do të jenë filmat “Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Tomka dhe shokët e tij”, si dhe “Kur po xhirohej një film”. Drejtoresha e AQSHF Iris Elezi do të jetë e pranishme në shfaqjet e filmave në Linz, si dhe në Vjenë dhe do të ketë gjithashtu një diskutim si pjesë e “Crossing Europe” – Spotlight 2019, që do të mbahet në bashkëpunim me Muzeun e Filmit Austriak. “Përrallë nga e kaluara” me skenar dhe regji nga Dhimitër Anagnosti është prodhim i vitit 1987. Zhanri komedi, skenari i këtij filmi është i bazuar në novelën me të njëjtin titull të Andon Zako Çajupit. Xhanfise Keko e filloi karrierën si montazhiere, një nga shtatë anëtarët themelues të Kinostudios “Shqipëria e Re”, më 1952. Pas një përvoje të gjatë si montazhiere e dokumentariste, filloi karrierën e regjisores, më 1971. Për 13 vjet, deri në vitin 1984, Keko realizoi 12 filma artistikë, që janë edhe sot mjaft të pëlqyer, sidomos për fëmijët. “Mimoza llastica” u realizua më 1973, “Tomka dhe shokët e tij” më 1977 dhe “Kur xhirohej një film” më 1981.

    Trashëgimia kinematografike

    Festivali “Crossing Europe” ku prezantohen dhe filmat shqiptarë nisi dje për të përfunduar më datë 30 të këtij muaji. Pas regjisores turke, Yesim Ustaoglu, fituese e disa çmimeve, dhe producentes së suksesshme Ada Solomon nga Rumania, në festival këtë vit zgjedhja i takon kineastes Iris Elezi, një figurë  aktive nga Shqipëria, e cila më parë ka prezantuar për audiencën e festivalit në Linz në vitin 2015 filmin e saj të parë me metrazh të gjatë “Bota”. Pas studimeve në SHBA (në Shkollën e Arteve TISCH, në New York), Iris Elezi u kthye në Shqipëri, ku iu dedikua trashëgimisë kinematografike shqiptare dhe ruajtjes së saj, krahas punës si regjisore, producente, skenariste dhe lektore. Njëzet e shtatë vjet pas rënies së diktaturës izoluese staliniste në Shqipëri, ende pak dihet për kinematografinë e këtij vendi të Evropës Jugore. Si bashkë-themeluese e nismës Projekti i Kinemasë Shqiptare, Iris Elezi është një figurë kyçe në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare kinematografike, jo vetëm materialisht por edhe si ideologji. Në këtë kontekst, ajo organizon shfaqje filmash me qëllim që të sensibilizojnë publikun për realizimin e filmave me temë nga koha e diktaturës, filma që refuzohen nga një pjesë e tij. Iris Elezi i përshkruan përpjekjet e saj për një rivlerësim kritik të trashëgimisë kinematografike shqiptare, që pa dyshim do të luajë rol në edukimin për identitetin kulturor, si: “Ne duhet të çlirohemi nga kjo amnezi kolektive”. Ndërkaq, që më 2014 Iris Elezi dhe Thomas Logoreci realizuan filmin “Bota”, që gjithashtu është pjesë e festivalit.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here