CIA zbardh detajet, 45 për qind e shqiptarëve ishin analfabetë më 1949, amerikanët “luftë psikologjike” për të rrëzuar Enver Hoxhën

0
533

CIA ka dhënë detaje mbi operacionet e saj të para në Shqipëri për rrëzimin e regjimit komunist. Në një dokument të deklasifikuar për vitin 1949 tregohet se qëllimi kryesor ishte të ndalej avancimi i Moskës në Ballkan. Po ashtu janë dhënë detaje mbi teknikat që do përdoreshin në operacione.

Tetor 1949

Përmbledhje e projektit BGFIEND

Propozimi është në përputhje me politikën e SHBA për rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë me anë të përmbysjes së regjimit komunist të kontrolluar nga Moska në Shqipëri, për ta zëvendësuar me një qeveri të moderuar të pranueshme për popullin shqiptar dhe me objektiva që janë në harmoni me ato të Shteteve të Bashkuara. Problemi qëndron në ngritjen dhe ruajtjen e një presioni e sulmi propagande sipas fazave të veçanta të projektit me qëllim krijimin e kushteve të favorshme për grushtin e shtetit.

Fakte që ndikojnë te problemi

Më poshtë kemi listuar të dhënat që besojmë se janë vendimtare për të vendosur mbi temat e propagandës në Shqipëri: Rreth 45 % e më shumë se 1 milionë shqiptarëve janë analfabetë. Vendi përbëhet nga tre grupe kryesore etnike: gegët në zonën malore veriore dhe qendrore të vendit. Banorët e zonave fushore dhe bregdetare, dhe popullsia toskë në jug. Rreth 70 për qind janë myslimanë, 20 për qind katolikë dhe 10 për qind ortodoksë. Shoqëria shqiptare është kryesisht tribale e fisnore dhe regjimet e ndryshme në Shqipëri nuk kanë arritur të qeverisin pritej zonave fushore, për të evituar të kundërshtojnë fiset e zonave malore. Vetë Shqipëria si shtet kombëtar apo i pavarur është një krijim artificial i politikave botërore sesa një shprehje e vullnetit kombëtar. 80 % popullatës është fshatare ose bujqësore dhe megjithatë Shqipëria mund të plotësojë vetëm 75% të nevojave të saj ushqimore. Kjo shifër do të ishte ende më e ulët po të mos ishte për standardet shumë të ulëta të jetesës në vend. Pakënaqësia ndaj regjimit Hoxha mbizotëron në 80 për qind të popullatës, kjo prej traditës së rezistencës ndaj pushtetit qendror të zonave kryengritëse malore, gjendjes së rëndë ekonomike dhe mungesës së prestigjit të udhëheqësve. Popullata e kundërshton instinktivisht sllavizmin dhe prej kësaj dhe regjimin aktual të sponsorizuar nga Jugosllavia. Komunikimet janë primitive, por megjithatë një kulturë e gjerë e shpërndarjes së zhurmave e thashethemeve siguron përhapje të shpejtë të lajmeve. Armiku ynë është regjimi aktual, anëtarët e partisë komuniste dhe lolot e vendosura nga Bashkimi Sovjetik në postet e ushtrisë dhe ekonomisë. Aktualisht ekziston një sens pasigurie në shumicën e regjimit aktual prandaj kjo duhet të shfrytëzuar për ta çuar deri në pikën panikut. Popullata në përgjithësi duke përfshirë dhe zyrtarët dytësorë të ushtrisë e urrejnë regjimin prandaj duhet drejtuar nga nisja e revoltës. Për të pasur sa më shumë efekt propaganda jonë duhet të jetë e planifikuar mirë dhe e koordinuar me aktivitete të tjera të programit shqiptar BGFIEND. Në rekomandime përfshihen dhe angazhimi i një eksperti të marrëdhënieve publikë për aktivitetet e Komitetit Shqipëria e Lirë. Zëri i Amerikës dhe BBC duhet të fokusohen në edicionet e tyre me punën e Komitetit Shqipëria e Lirë si dhe të përmendin qasjen miqësore të qeverisë së Greqisë ndaj tij.

Operacionet

Një motobarkë me një transmetues në bord duhet të transmetojë drejt Shqipërisë në të njëjtën frekuencë me Radio Tiranën duke iu imponuar volumit të saj. Transmetimet do të jenë të përditshme, rreth 15 minuta çdo mbrëmje. (Zëri i njoftuesit duhet të evitojë çdo devijim të mundshëm nga teksti dhe transmetimet të fokusohen në lajmet nga Shqipëria, Ballkani dhe Evropa). Lëshime të vazhdueshme fletushkash duhet të kryhen në koordinime lëshimet e artikujve të vegjël të konsumit dhe të furnizimeve për agjentët, të cilët edhe ata do të shpërndajnë fletushka me kontaktet lokale. Këto masa do të zgjerojnë aksesin ndaj informacionit në vendndodhje strategjike nga ku konfuzioni do të përhapet me tej me anë të gojëdhanës. Fletushkat do të ketë interpretime të lajmeve të fundit dhe të përpiqen të nxisin sensin e përgjegjësisë te udhëheqësit shqiptarë. Në fletushka të tregohet burimi dhe qëllimi i furnizimeve. Gjatë gjithë fushatës së fletushkave duhet të ruhet përshtypja se Komiteti Shqipëria e Lirë është një organ funksional dhe i mirë organizuar me financime të bollshme. Një listë e detajuar e tematikës së fletushkave dhe linjës së tyre të nxitjes së mendimit do të vijojë. Tematika e tyre nuk duhet të fokusohet në konceptet perëndimore të ashpërsisë ose brutalitetit por mbi veprimin kundër pavarësisë së Shqipërisë dhe mbi aktivitetet e huaja ndërhyrëse ose tradhtare në vend. Është esenciale të krijohet besimi te lajmet tona prandaj çdo fakt duhet kontrolluar dhe të jetë realist mbi jetën shqiptare, koha e publikimit të tyre duhet të jetë e tillë që të përfitojë nga veprimet e kompletuara, para se publiku të kuptojë se është kështu. Nuk duhet të tejkalohet masa e apelimeve ndaj ndërgjegjes kombëtare pasi për shumicën e popullsisë besnikëria fisnore është shumë më e rëndësishme.

Lufta psikologjike

Materialet në lidhje me aktivitetet e Komitetit Shqipëria e Lirë duhet të përgatiten nga eksperti i marrëdhënieve me publikun i Komiteti Shqipëria e Lirë. Në varësi të krijimit të bazës së operacioneve, fletushkat duhet të përgatiten aty (në bashkëpunim me britanikët). Pas krijimit të bazës, aty do të hartohen dhe printohen fletushkat. Aktivitetet e luftës psikologjike duhet të koordinohen me faza të tjera të operacioneve. Tematikat e fletushkave duhet të kenë të bëjnë me sulmin anti-sovjetik, rritjen e besimit të Komiteti Shqipëria e Lirë, sulmin ndaj bashkëpunëtorëve të regjimit. Pas nisjes së fazës së infiltrimeve tematika e tyre duhet të përqendrohet më shumë më rritjen e besimit se liria është e mundshme, te rritja e besimit në revolucion dhe ndjesia e pjesëmarrjes. Gjatë fazës finale sensi i unitetit duhet të theksohet, për të përfunduar te urrejtja ndaj armikut. Planifikimi dhe ekzekutimi i mirë i fushatës së propagandës do të kontribuojë në një përgatitje të suksesshme të popullit shqiptar për rezistencë dhe rritje të besimit për përmbysjen e regjimit. Detaje të tjera të luftës psikologjike do të mbeten në dorë të shkruesve të teksteve në bordin e anijes së transmetimit dhe të hartuesve të fletushkave në bazën kryesore. Të dy ata duhet të mësojnë nga agjentët me eksperiencë për udhëzimet politike. Zona e operacionit nuk është caktuar ende, ndërsa vendimi për justifikimin e anijes së transmetimeve dhe ekuipazhit të saj do të merret pas sigurimit të mjetit, pasi origjina dhe tipi i saj mund të influencojnë operacionin.

Stafi

Për operacionet e luftës psikologjike do të nevojitet stafi i mëposhtëm:

Një shkrues amerikan i teksteve radio, operator amerikan në terren i luftës psikologjike, një zë shqiptar i provuar në radio, teknikë të mjaftueshëm për radiostacionin lundrues, personel për avionët e lëshimeve. Gjithashtu do të nevojiten materialet mbështetëse si një bakri dytësore për kalimin e materialeve furnizuese të radiostacioni, avionët e lëshimit të fletushkave, pajisjet e transmetimit dhe një antenë për t’i instaluar në bordin e barkës së transmetimit. Lista e mëposhtme e temave të propagandës është prezantuar sipas rëndësisë së shfrytëzimit. Këto tema do të shfrytëzohen në objekte të ndryshme lajmesh për të inkurajuar mendimin sipas linjave të kërkuara. Çdo temë duhet të mbështetet nga sulmi përkatës i propagandës. Më pas gradualisht fokusi duhet të zhvendoset në dhënien e sinjalit për veprim: Sulmet anti-sovjetike duhet të japin shembuj të përgjegjësisë së regjimit komunist për përkeqësimin e ekonomisë shqiptare dhe kthimin e vendit në një peng të interesave strategjike të BRSS. Shembujt të ilustrohen me përshkrime të terrorit institucional të qeverisë kundër shqiptarëve të thjeshtë, dhe për vënien e tyre kundër njëri tjetrit, në shumë raste edhe brenda familjes ose rrethit fisnor. Kolaboracionistët shqiptarë me sovjetikët duhet të karakterizohen si njerëz të vegjël e pa karakter, të cilët për interesa dhe përfitime personale shesin mirëqenien e vendit të tyre dhe komplotojnë kundër patriotëve të vërtetë. Në lidhje me rritjen e besimit të Komiteti Shqipëria e Lirë duhet të theksohet larmia e elementëve të tij përbërës në përfaqësim dhe mbështetja e gjerë ndërkombëtare që ai zotëron. Materialet përshkruese duhet të evidentojnë elementët kryesorë të problemeve ekonomike dhe politike, të cilat vijnë të gjitha nga dominimi prej Moskës. Këto mund të jenë agjentët sovjetikë të shërbimeve të sigurisë, informatorët shqiptarë, kontrolli i valutës që është në duart e sovjetikëve, kërcënimet nga vendet fqinje, sekuestrimi i pronës private dhe kolektivizimi i bujqësisë që janë bërë të gjitha në përfitim të sovjetikëve. Në lidhje me rritjen e shpresës për çlirimin e vendit duhet të përmenden numri i lartë i njerëzve të gatshëm për të ndihmuar në Shqipëri, numri i fuqive perëndimore që janë bashkuar kundër BRSS, si dhe historia e qëndresës shqiptare kundër dominimit të huaj. Për ndjenjën e pjesëmarrjes duhet të rritet forca e përhapjes së lajmeve me anë të gojëdhënës dhe të krijohen linja komunikimi. Për këtë mund të përdoren truke si ndezja e zjarreve në kodra në momente të caktuara. Për temën e sensit të unitetit duhet të shfrytëzohen raportet e agjentëve të infiltruar ndërsa për rritjen e urrejtjes ndaj armikut të bëhet demonizimi i BRSS dhe aleatëve të tij bazuar në incidente si vrasjet dhe burgimet e revolucionarëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here