Juventusi ka shanse maksimale këtë sezon të fitojë Ligën e Kampioneve. Ka prej disa vitesh që bardhezinjtë kanë një grup kompetitive dhe suksesi në Itali as nuk është vënë në diskutim, por ka munguar trofeu i Champions League, ku dy herë në gjysmëfinale e një herë në finale “Zonja er Vjetër” ka dështuar. Këtë edicion erdhi në radhët e skuadrës Kristiano Ronaldo dhe rriti premisat që kampionia e Italisë të triumfojë edhe në Champions.
Me largimin e Ronaldos Reali humbi shumë potencial në repartin ofensiv, por lëvizja e Ronaldos pritet të pasohet nga largime të tjera dhe këto janë në vazhdën e largimit të ish-trajnerit Zinedin Zidane. Mësohet nga shtypi italian dhe ai spanjoll se së fundmi “Zonja e Vjetër” italiane u ka vënë syrin dy futbollistëve të tjerë të Realit të Madridit, konkretisht mesfushorëve Isko dhe Marcelo. Ky i fundit ka qenë në listën e preferencave që në verë, pasi Ronaldo e zgjodhi atë si një lojtar që do ta dëshironte ta kishte në grup, kurse për mesfushorin Isko gjërat po zhvillohen vrullshëm gjatë ditëve të fundit. Ai nuk po e gjen më vetveten në “Santiago Bernabeu” dhe ka nevojë për një ambient të ri ku të shprehë potencialin e tij. Siç shprehen mediat spanjolle, nëse një futbollist ka probleme në skuadrën e tij, zakonisht zërat e merkatos shtohen. Dhe kur bëhet fjalë për një futbollist si Isko, atëherë klubet më të mëdha europiane janë gati për t’u hedhur në sulm. Pas problemeve të raportuara me Santiago Solarin, gazeta spanjolle “AS”, e cila është një nga më të afërtat me Realin e Madridit, raporton se për mesfushorin është një luftë e hapur midis Juventusit dhe Mançester Sitit. Masimiliano Alegri nuk e ka fshehur kurrë admirimin për spanjollin, i cili shkëlqeu nën sytë e trajnerit italian, në një ndeshje Milan-Malaga të vitit 2012. Nëse situata vazhdon të mos ketë ndryshim, për Iskon nuk ka dyshime. Largimi është zgjidhja e duhur, e ndoshta që në janar. Por, jo vetëm Isko.
Mësohet se “Zonja e Vjetër” kërkon ti rrëmbejë madrilenëve një tjetër lojtar. Bëhet fjalë për mbrojtësin e krahut të majtë, Marcelo. 30-vjeçari brazilian, dëshiron të nënshkruajë atë që mund të jetë kontrata e fundit e majmë, me një klub të niveleve të larta. Dhe nëse Reali nuk ja garanton këtë, duket se ai është gati për t’ju bashkuar mikut të tij të ngushtë Kristiano Ronaldo tek Juventus, dhe pse jo, bashkë me Iskon. Tek “Los Blancos”, pritet të ketë një revolucion, dhe nuk mund të niset një cikël i ri pa largimin e disa prej më të “vjetërve” në skuadër. Në rast se Juventus arrin të marrë qoftë edhe njërin prej këtyre dy futbollistëve, do të fuqizonte akoma më shumë organikën e saj. Të dy lojtarët kanë potencial për të qenë titullarë në ekip dhe të dy kanë mundësi të bëjnë diferencë. Jo rastësisht Ronaldo insiston që të paktën njëri prej tyre të bëhet pjesë e Juves që skuadra të rrisë pretendimet e saj për titull europian, domethënë për të fituar UEFA Champions League, trofeu i vetëm që i mungon skuadrës bardhezi gjatë këtyre viteve të suksesshëm dhe dominimi absolut në futbollin italian.
Adriatik BALLA