Me shembjen e 8 vilave të “veshura me ar” të klanit Casamonica në Romë qeveria italiane kërkon të tregojë angazhimin e saj total për goditjen e mafias, ndërsa sot në timonin e buldozerit hipi vetë ministri i brendshëm Matteo Salvini.
Zëvendëskryeministri italian, që ndodhej aty së bashku me guvernatorin Lazio Nicola Zingaretti, për një çast u ngjit në një nga mjetet e rënda të ushtrisë duke marrë “drejtimin” e saj.
Pas fotografive të çastit, Salvini zbriti dhe duket se bekoi edhe njëherë goditjen e klaneve mafioze te pika e tyre e dobët, që është pasuria e përftuar nga krimi dhe droga.
“Unë jam i lumtur që ministri është këtu. Nuk është një betejë e vazhdueshme politike, por angazhimi i shtetit për të rivendosur ligjshmërinë. Ky unitet i shtetit ka bërë një ndryshim në vitet e fundit në qytet”, tha Zingaretti, teksa vlerësoi prezencën e Salvinit.
“Kjo nuk është një ditë polemikash, por luftë e përbashkët. Vite më parë ka pasur frikë t’i merrej prona e konfiskuar mafias dhe thirrjet ishin boshe. Konfiskimi është një akt thelbësor, por ne duhet të kthehemi te e mira e përbashkët”, shtoi guvernatori.