Zëdhënësja e BE-së Maja Kocijançiç tha sot se mesazhi i Brukselit për tarifat doganore të Kosovës është “i qartë dhe i qëndrueshëm”, dhe se BE pret nga autoritetet e Kosovës të tërheqin këto masa.
Ajo shtoi më tej se të dyja palët duhet të përmbahen nga provokimet.
Ajo ka hedhur poshtë komentet që vijnë nga Prishtina, sipas të cilës shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini është “e njëanshme”.
“Reagimi i autoriteteve kosovare në këtë kontekst thjesht nuk është rruga e drejtë. Ka mënyra për të zgjidhur këto çështje dhe këto kanale duhet të përdoren”, tha Kocijanciç.
Më tej ajo theksoi se përparimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës në mënyrë efektive mund të kontribuojnë në mirëqenien e qytetarëve.
“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të të dyja palëve që menjëherë të ndalojnë provokimet dhe të përqendrohen në përfundimin e normalizimit të marrëdhënieve”, tha Kocijançiç.
Qeveria e Kosovës rriti dje taksën doganore ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nga dhjetë në 100 për qind.