Dy persona janë qëlluar me armë zjarri ditën e sotme në lagjen “Rus” të qytetit të Shkodrës. Sipas informacioneve paraprake policore, ata u qëlluan nga dy atentatorë që udhëtonin me motor.
Të dhënat policore konfirmojnë se njëri prej personave të qëlluar me armë është Fatos Ferracaku, i cili ndërroi jetë në spital pasi ndodhej në vdekje klinike. Kurse gjendja e të plagosurit tjetër, F.Mehaj, është stabilizuar nga mjekët.
Fatmir Mehaj, thonë burimet është një tregtar në tregun e Shkodrës, ndërsa Ferracaku është djali lidhje e afërt familjare me biznesmenin Arjan Ferracaku, i vrarë më 1 shtator në një atentat. Gjithashtu mësohet se plagosja ka ndodhur vetëm pak metra larg vendit ku iu vendos tritol Lulzim Kullës, i njohur ndryshe si i forti i Shkodrës, tashmë i prangosur.
Në vendngjarje janë gjetur 9 gëzhoja.Ndërkohë që në zonën e Livadhes në Dobrac është gjetur një motocikletë e djegur, e cila dyshohet se iu përket autorëve.
Nuk dihet ende se kush ishte shënjestra e këtij atentati, por ngjarja ka tronditur qytetin në një orë kur fluksi i lëvizjeve është i lartë.