Partia Demokratike ka lëshuar dje akuza të forta ndaj qeverisë sa i takon koncesionit për kontrollin e faturimit ndaj biznesit. Përmes një deklarate për mediat, deputetët Jorida Tabaku dhe Endri Hasa dhanë detaje, që sipas tyre tregojnë se kompania kroate është shpallur fituese në mënyrë korruptive. “5 javë më parë, ishim në të njëjtën sallë për të paralajmëruar se qeveria e Edi Ramës e kishte paracaktuar fituesin kroat të tenderit korruptiv që vendos monopolin e kontrollit të faturimit mbi biznesin. Sot, paralajmërimi ynë është bërë realitet. Kompania kroate u shpall fituese e tenderit prej 15 milionë eurosh në një garë fasadë me një kompani që nuk i plotësonte kriteret. Kriteret e tenderit janë korruptive, sepse, siç paralajmëruam 5 javë më parë, ato ishin llogaritur për t’iu përshtatur kompanisë kroate. Partia Demokratike po merr ndërkohë informacionin e nevojshëm se kush qëndron prapa kësaj kompanie”, tha Tabaku. Sipas Tabakut, kjo aferë e rëndë korruptive e çon Shqipërinë edhe një hap tjetër mbrapa në luftën kundër korrupsionit, si kush themelor për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Më tej ajo tha se tenderi prej 15 milionë eurosh që iu dhurua një kompanie kroate në kushte tërësisht të mistershme, është provë se korrupsioni në qeverinë Rama ka rrënjë të thella.
“Tenderi korruptiv me fitues të paracaktuar është vazhdimi i skandalit të zbuluar 3 vjet më parë nga opozita, që e detyroi Edi Ramën të heqë dorë përkohësisht nga dhënia me koncesion e monitorimit dhe mbledhjes së TVSH-së një kompanie kineze offshore e lidhur me të vëllanë, Olsi Rama. Tek ky tender korruptiv, që vendos monopolin e kontrollit të faturimeve të biznesit, qytetarët po shohin kalbëzimin e qeverisë së Edi Ramës. Kjo qeveri jo vetëm ka pafytyrësinë t’i shkojë deri në fund një tenderi të denoncuar si korruptiv, por po shet Shqipërinë me copa tek klientë që kanë mbajtur në këmbë pushtetin e inkriminuar dhe të korruptuar të Edi Ramës”, tha ajo. Por ndaj PD reagoi ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Ai deklaroi se procedurat ishin transparente. “Procedura e përdorur për prokurimin e sistemit të monitorimit të faturimit nga ana e AKSHI-t është procedurë e hapur, procedura më transparente në ligjin e prokurimit publik. Po çfarë procedure duhet të ndiqet që të sigurohen sistemet për administratën, meqë procedura e hapur, procedura më transparente e ligjit, nuk është e duhur? Sipas logjikës së tyre, kushdo që përmendet në deklaratat e SHQUP-it, duhet të mos fitojë në konkurrimet publike, edhe nëse i takon. Dhe me keq akoma, nëse skualifikohet për shkak të parregullsive, SHQUP-i del e trumbeton fitoren e “presionit” të tij. Flasin përçart për vendosje monopoli në sistemin e faturimeve”, tha Ahmetaj.