Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Sokol Stojani duket se do ta kalojë me sukses sfidën e vetingut. Dje në orën 12:00 u zhvillua seanca dëgjimore për të, ndërsa trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kishte arritur në përfundimin se Stojani nuk kishte probleme as me pasurinë, as me figurën dhe as me aftësitë profesionale. Më konkretisht,
sipas KPK, Stojani disponon një apartament në Tiranë të blerë në vitin 2002 me një kredi të butë të dhënë nga Banka e Kursimeve me vendim qeverie si dhe një automjet me vit prodhimi 2008 të blerë në vitin 2017 për 4,700 euro, por nuk ishin konstatuar probleme. Nga ana tjetër, DSIK e kishte konsideruar të përshtatshëm Stojanin për të vijuar detyrën. Ndërsa në lidhje me aftësitë profesionale, trupa e KPK u shpreh se Sokol Stojani ka marrë vlerësimin shumë mirë gjatë periudhës së rivlerësimit 2016-2018 dhe ndaj tij nuk ka pasur masë disiplinore. Ajo po ashtu bëri me dije se ndaj prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme janë dorëzuar në të shkuarën 3 kallëzime penale. Një nga këto kallëzime i përket ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Mediu. Sipas Stojanit, Mediu e ka kallëzuar në kohën kur ai ishte përfaqësues i akuzës për çështjen e shpërthimit në fshatin Gërdec të Tiranës. Stojani argumentoi se kallëzimi i Mediut përbënte një strategji të mbrojtjes për të dobësuar akuzën në kohën kur kjo e fundit po përgatitej ta çonte çështjen në gjykatë. Mediu kishte argumentuar në kallëzim se dyshonte se pyetjet me të cilat ishte përballur nga gazetarët gjatë një interviste televizive ishin formuluar nga Stojani.
Dy kallëzimet e tjera lidheshin me një ish-prokuror që u ankua ndaj Stojanit si dhe me babanë e një viktime të një aksidenti rrugor që sipas Stojanit, ishte i bindur se vajza ishte ekzekutuar dhe aksidenti ishte inskenuar. Stojani argumentoi se ai kishte konkluduar se bëhej fjalë për aksident dhe jo për vrasje. Në përfundim të seancës dëgjimore, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme kërkoi vlerësoi procesin hetimor të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe kërkoi nga trupa gjykuese rikonfirmimin në detyrë. Vendimi për të do të jepet sot.