Mazhoranca intensifikon lëvizjet kundër krimit të organizuar, oficeri i Europol vendoset tek Drejtoria e Policisë

0
367

Lufta kundër krimit të organizuar duket se po thellohet çdo ditë e më shumë. Në Komisionin e Sigurisë ditën e djeshme u miratua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për bashkëpunimin e zbatimit të ligjit, mbi vendosjen e oficerit ndërlidhës të Europol”, ndërsa zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dha disa detaje. Sipas tij, përmes vendosjes së oficerit ndërlidhës të Europol tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëhet me qëllim luftën kundër krimit të organizuar dhe shkëmbimin e informacioneve me vendet e BE për operacione të përbashkëta.

“Vendosja e oficerit ndërlidhës do të jetë një shtysë më tej në luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe shkëmbimin e informacioneve me vendet e BE. Shqipëria është një ndër të paktat vende në rajon që do të ketë oficer. Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë nismash kundër krimit të organizuar dhe ky oficer vjen në vijim të objektivit të qeverisë për luftën pa kompromis dhe pa ngjyrë të krimit. Eksperti do të vendoset tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Dua të theksoj se numri i informacioneve të shkëmbyera në muaj ka ardhur duke u rritur, është mbi 15%. Po ashtu, edhe bashkëpunimet ndërkombëtare për operacione kanë ardhur në rritje”, tha Besfort Lamallari. Ndërsa kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj theksoi se votimi i një projektligji të tillë tregon punën e mirë që puna po bën në luftën kundër krimit të organizuar. “Është një marrëveshje me shumë rëndësi në vendin tonë që tregon për punën e mirë dhe për performancën e Policisë së Shtetit, ndryshe nuk do të ishte një institucion i besueshëm edhe për vendosjen e një oficeri ndërlidhës të Eurpolo”, deklaroi Ermonela Felaj. Në fund, projektligji u miratua vetëm me votat e mazhorancës, duke qenë se opozita nuk ishte e pranishme në mbledhje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here